Kaosin në Ferguson e ndal Garda Kombëtare (Foto)

Protesta të reja janë mbajtur në gjithë Shtetet e Bashkuara, derisa po vazhdon zemërimi i madh dhe shkatërrimi i qytetit Ferguson (foto) lidhur me vendimin e gjykatës që të mos akuzohet polici i racës së bardhë, Darren Wilson, për vrasjen e të riut me ngjyrë të paarmatosur, Michael Brown.

Bota

26/11/2014 14:18

Qyteti i shtetit Missouri, ishte skena kryesore e trazirave edhe natën e mbrëmshme, pas vendimit të datës 24 nëntor,  derisa guvernatori i shtetit, Jay Nixon tha se më se 2,200 pjesëtarë të Gardës Kombëtare tash po patrullojnë në rrugët në periferi të Sent Luisit.

“Jetët dhe prona duhet të mbrohen. Ky komunitet meriton të ketë paqe. Ne do të japim siguri në rajon”, tha Jay Nixon.

Raportohet se një makinë policore ishte ndezur, ndërsa shefi i policisë në Sent Luis, John Belmar, tha se 44 vetë janë arrestuar gjatë natës së dytë të protestave, por situata ishte shumë më e qetë se natën e parë.

Mijëra njerëz kanë marshuar për të dytën natë me radhë edhe në Nju Jork, ndërsa qindra protestues u mblodhën para ndërtesës së bashkisë në Los Anxhelos, me ç’rast disa prej tyre i hidhnin konet e trafikut dhe objekte të tjera ndaj policëve, gjatë gjendjes së tendosur që zgjati rreth tri orë.

Në Okland të Kalifornisë dhe në Atlanta të Gjeorgjisë, protestuesit e kanë bllokuar trafikun dhe është raportuar për dëme të vogla ndaj bizneseve lokale.

Protesta janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera, përfshirë Uashingtonin, Mineapolisin dhe Portlandin në Oregon.

Nga ana tjetër, polici 28 vjeçar, Darren Wilson, që e vrau18 vjeçarin, Michael Brown, pas një grindjeje më 9 gusht, e ndërpreu heshtjen e gjatë dhe tha se e ka ndërgjegjen e pastër.

Polici Wilson i tha rrjetit televiziv ABC se ai ndjen se nuk do të kishte bërë asgjë ndryshe në konfrontimin me të ndjerin Brown në rrugën e Fergusionit, që është në periferi të qytetit Seint Luis, e banuar kryesisht me popullatë zezake, por ku pjesa më e madhe e policëve dhe e zyrtarëve të tjerë janë të bardhë.

Wilson ka pretenduar se Brown e ka sulmuar atë dhe është përpjekur ta marrë revolen e policit, pas një zënke verbale, pasi Brown dhe një shok i tij, refuzuan të lëvizin nga mesi i rrugës në pjesën e këmbësorëve.

Wilson tha se ia ka tërhequr vërejtjen Brownit se ai do hapte zjarr dhe e ka bërë këtë, kur dukej se Michael Brown po i afrohej.

Disa dëshmitarë thanë se Brown i ka pasur duart lart ose ishte tejet i paaftë nga e shtëna, për të paraqitur rrezik, kur polici Wilson i shkrepi të shtënat finale.

Anthony Gray, avokat i familjes Brown, dhe aktivistët, kanë dyshime ndaj procesit të dëgjimit në juri, veçanërisht për mënyrën se si prokuroria i paraqiti dëshmitë.

Avokati Gray tha se prokurorët e kanë mbajtur dëshminë kryesore, e cila ka mundur ta mbështetë pohimin se oficeri Wilson përdori forcë të tepruar në përpjekje për ta nënshtruar Brownin dhe se vrasja, rrjedhimisht, nuk ishte e domosdoshme dhe se ishte ilegale.

Në komentet e tij, presidenti amerikan, Barack Obama, e ka dënuar dhunën në Ferguson, duke thënë se aksionet “shkatërruese” janë kriminalitet.

Vrasja e të riut Brown ka nxitur një debat në gjithë Shtetet e Bashkuara, me ç’rast theksohen tensionet e gjata në marrëdhëniet racore, taktikat politike dhe përdorimin e armëve të zjarrit.

Në këtë debat është përfshirë edhe Bernice King, vajza e aktivistit Martin Luther King.

“Ne duhet të gjejmë mënyrë për të krijuar raporte më të mira ndërmjet zyrtarëve tanë të zbatimit të ligjit dhe komunitetit. Por, më e rëndësishmja është që ne ta ndalim këtë kulturë të vrasjes, ku shumë njerëz të rinj po e humbin jetën e vet”, tha Bernice King, duke folur në rrjetin NBC.

Protestuesit bënë thirrje për ndryshim të vendimit dhe të mllefosur vazhduan përleshjet me policinë, ndërsa të tjerë shfrytëzuan rastin të vazhdojnë plaçkitjen e shitoreve, por në një numër më të vogëj se sa një natë më parë.  

Edhe në Oakland dhe Çikago, protestuesit vërshuan në autostrada, duke bllokuar makinat dhe duke ecur me duart lart, ndërkohë që një turmë e vogël protestuesish u mblodh edhe para Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan, Barak Obama, u ka bërë thirrje protestuesve të mos e tensionojnë situatën dhe të pranojnë vendimin e Jurisë së Madhe, pavarësisht se një pjesë të amerikanëve mund të mos u pelqejë.

Policia ka kërkuar nga qytetarët të protestojnë në mënyrë paqësore, ndryshe nuk do të tolerojnë askënd të cenojë rendin dhe qetësinë publikë, dhe as shkatërrimin e qytetit të Fergusonit.

Mediat amerikane vlerësojnë se kur zjarret të shuhen dhe dhuna të ndalet, Fergusoni do duhet të rindërtohet, duke riparuar strukturat e dëmtuara, shkatërruara apo plaçkitura, dhe duke përmirësuar marrëdhëniet mes forcës së policisë dhe qytetarëve.