Kandidatja për deputete premton që së bashku me PDK-në do të luftojë korrupsionin dhe nepotizmin

Kandidatja e Partisë Demokratike të Kosovës për deputete në Kuvendin e Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi ka folur për aderimin e saj në PDK në një intervistë për lajmi.net.

Lajme

18/09/2019 19:36

Ajo ka treguar se është anëtarësuar në PDK në prill të vitit 2019, ndërsa ajo është kryetare e nëndegës Qendra 2 dhe tani është anëtare e kryesisë së Degës së Prishtinës dhe anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë.

“Në Partinë Demokratike të Kosovës jam anëtarësuar që nga Prilli i vitit 2019 kur Partia Demokratike i kishte zgjedhjet e brendshme. Atëherë kam kandiduar  që të jem kryetare e nëndegës Qendra 2 dhe pasi jam zgjedhur kryetare kam vazhduar të jem anëtare e Këshillit Drejtues dhe anëtare e kryesisë së degës së Prishtinës dhe së fundmi anëtare e Këshillit Drejtues të Partisë që është pozita më e lartë vendimmarrëse në Partinë Demokratike”, tha Musliu – Shoshi për lajmi.net.

Më tutje, Shoshi ka treguar se në Kuvendin e Kosovës është e angazhuar që nga viti 2007 dhe ka qenë prezente në shumë procese ku ka kaluar Kosova.

“Duke marrë parasysh përgatitjen time akademike dhe profesionale, pra unë punoj në Kuvendin e Kosovës që nga viti 2007, pra jam fytyrë e re në politikë, por jo në politikë-bërje, pasi kam qenë vëzhguese e shumë proceseve të rëndësishme që ka kaluar Kosova, ku Kuvendi ka qenë prezent si institucioni më i lartë në vend. Fusha të cilën e mbuloj është fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare”, tha Musliu – Shoshi për lajmi.net.

YouTube player

Më tutje, ajo tha se është futur në garën për deputete pasi ka menduar se mund të jap kontributin e saj të drejtpërdrejtë në politikë.

“Duke parë të gjitha zhvillimet që po ndodhin, sfidat nëpër të cilat po kalon Kosova, duke e marrë parasysh punën time në Kuvendin e Kosovës, kam menduar se ka ardhur momenti të jap kontributin tim të drejtpërdrejtë në politikë”, tha ajo.

Ariana Musliu – Shoshi ka folur edhe për çështje të tjera në politikë, përgatitjen e saj profesionale e akademike dhe aderimin e shoqes së saj Arta Nitaj në PDK.

Të gjitha këto dhe çështje të tjera të biseduara me Musliu – Shoshin mund t’i ndiqni në intervistën e plotë: