Kandidati i PDK-së për deputet flet për projektin e partisë së tij, hallet e qytetarëve e zgjedhjet e 6 tetorit

Kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit, Faik Geci ka qenë në një intervistë për lajmi.net.

Lajme

25/09/2019 19:42

Geci në këtë intervistë ka folur rreth projektit qeverisës të Partisë Demokratike të Kosovës, qytetin e Skenderajit, angazhimin dhe kandidaturën e tij si deputet e çështje të tjera.

Kandidati Faik Geci ka treguar se është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës tash e një kohë të gjatë, qysh prej kur PDK quhej Partia për Prosperitet Demokratik, shkruan lajmi.net.

“Unë jam kandidat nga radhët e PDK-së dhe në këtë parti jam shumë gjatë, që nga themelimi i saj, pra që nga pas lufta. Fillimisht në Partinë për Prosperitet Demokratik në atë kohë, pastaj në Partinë Demokratike të Kosovës në nëndegën e Llaushës dhe jam një nga themeluesit e saj”, tha Geci.

I pyetur se cila është arsyeja që është i përfshirë në listën e kandidatëve për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës, Geci tha se aktiviteti i tij politik dhe përgatitja shkollore kanë ndikuar.

“Ndoshta është aktiviteti im i gjatë, përgatitja ime shkollore superiore kanë bërë që unë të jem si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës”, tha Geci më tutje.

Më tutje Geci shtoi se PDK është duke pasur takime të vazhdueshme me qytetarët e Skenderajit, ku po dëgjohen hallet dhe kërkesat e tyre.

“Ne jemi duke bërë takime të vazhdueshme me qytetarët e Skenderajit dhe më gjerë, duke e prezantuar planprogramin e Partisë Demokratike dhe duke dëgjuar me vëmendje të madhe nevojat, kërkesat e hallet e tyre dhe kjo na bën më të veçantë si Parti”, tha Geci për lajmi.net.

Më tutje, Geci tha se i beson vizionit të PDK-së dhe vet kreut të partisë e kandidatit për kryeministër, Kadri Veseli.

“Ne jemi duke i besuar shumë vizionit të PDK-së dhe Kadri Veselit për një Kosovë pa korrupsion dhe nepotizëm, me zhvillim ekonomik, drejtësi e arsim më të mirë e më cilësor, të gjitha këto e bëjnë PDK-në të jetë parti e ndryshimit”, tha Geci.

I pyetur më tutje rreth deputetëve të cilët kanë punuar në të mirë të qytetit të Skenderajit, Geci ka përmendur disa emra.

“Unë mendoj që deputetët nga komuna e Skenderajit që kanë qenë në Kuvend kanë bërë punë të mirë, janë angazhuar për interesin dhe mirëqenien e qytetarit dhe falë tyre në Skenderaj janë realizuar projekte shumë me rëndësi. Ne i kemi disa deputetë nga komuna e Skenderajit, deputeten Ganimete Musliu, pastaj Blerta Deliu – Kodra, pastaj Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, këta kanë qenë aktiv në parlament dhe besoj që për shumë çështje e kanë ngritur zërin në parlament, po ashtu edhe deputeti Fadil Beka që ka lënë gjurmë në sektorin e shëndetësisë”, tha ai.

Faik Geci ka folur edhe për çështje të tjera si kërkesat e qytetarëve, për përkrahjen e PDK-së në komunën e Skenderajit dhe tema të tjera që mund t’i ndiqni më poshtë. /Lajmi.net/

YouTube player