Kandidati i PDK-së në Leposaviq premton se do t’i rikthejë banorët e Koshtovës, Bistricës e Cerajës

13:20 | 19 Maj 2019

Shaqir Hetemi, kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Leposaviqit ka votuar në fshatin Bistricë.

Kandidati i PDK-së ka deklaruar se do të tentojë t’i rikthej banorët e Koshtovës, Bistricës e Cerajes në shtëpitë e tyre, sepse sipas tij nuk gëzojnë të drejta.

Mes tjerash Hetemi ka thënë se procesi deri tani po shkon mbarë dhe nuk kanë vërejtje për ndonjë parregullsi.

Qendrat e votimit në katër komunat veriore të Kosovës janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit, deri tani nuk është shënuar ndonjë pa rregullisë.

Valdeta Daka, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sa ka qenë numri i votuesve deri në orë 11:00 në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicën e Veriut.

Daka ka bërë krahasimin mes zgjedhjeve lokale në tetor të 2017-s me këto 2019 dhe rezulton se për 878 numri i votuesve është më i lartë kësaj radhe.

“Ju njoftoj se deri në orë 11:00 të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 9 mijë e 361 qytetarë me të drejtë vote nga 57 mijë 983 sa është numri i përgjithshëm i tyre në këto komuna. Në zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017 deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 483 votues apo 14.88 për qind”

“Sipas komunave ju njoftoj se deri në orën 11:00 në Leposaviq 3 mijë 262 qytetarë apo 17,96%, në Zubin Potok kanë votuar 1 mijë e 174 qytetarë apo 13.76%, në Zveçan 1 mijë e 488 votues apo 16.12% dhe në Mitrovicën e Veriut 3 mijë e 437 apo 15.58%”, është shprehur Daka.

Daka ka thënë se procesi i votimit në 44 qendra, në katër komunat ku po mbahet zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar janë duke vijuar pa asnjë problem.