Kanadanë s’e frikëson “Shteti Islamik” (Video)

Të shtënat me armë zjarri në kryeqytetin kanadez ku mbeten dy të vrarë dhe tre të tjerë të plagosur, dyshohet të jenë nxitur nga “Shteti Islamik”, gjë që ka çuar në mobilizim të forcave të rendit dhe sigurisë jo vetëm në Otavë, por në të gjithë Kanadanë.

Bota

23/10/2014 14:08

“Kanadaja nuk frikësohet! Ajo do të vazhdojë të luftojë terrorizmin”!

Këto komente i ka bërë kryeministri kanadez, Stephen Harper pas sulmit terrorist që ndodhi një ditë më parë në kryeqytetin e Kanadasë, Otavë.  

Një person shtiu me armë zjarri duke vrarë një ushtar në Memorialin e Luftës, ndërsa më pas u fut dhe shtiu edhe në ndërtesën e Parlamentit, ku u qëllua për vdekje nga ana e policisë.  

Të shtëna ka pasur edhe në një qendër tregtare aty afër ku kanë mbetur të lënduar tre persona, ndërkohë që policia është vënë në ndjekje të personit tjetër që mendohet të ketë bashkëpunuar me sulmuesin e vrarë.

Sipas BBC-së, i dyshuar dhe tashmë në kërkim nga policia është edhe personi me emër Michael Zehaf-Bibeau, të cilit kohë më parë i ishte marrë pasaporta për shkak të dyshimeve se kishte lidhje me organizatën terroriste të quajtur “Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë” (ISIS).  

Ngjarja që tronditi kryeqytetin kanadez dhe e vuri atë në shtetrrethim ndodhi një ditë pasi një tjetër ushtarë u vra në Quebec nga një person, që sipas policisë kohë më parë ishte konvertuar si mysliman.    

Në kohën kur sulmuesi shtiu në Parlament, brenda ndërtesës ishte edhe kryeministri, i cili u nxor me shpejtësi nga sigurimi i tij dhe u dërgua në një vend të sigurt.

“Në fakt, kjo që ka ndodhur e forcon vendosmërinë tonë për të dyfishuar përpjekjet tona në luftën kundër terrorizmit. Do të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të identifikuar sulmuesit dhe për të mbajtur Kanadanë të sigurt nga sulmet tjera të mundshme terroriste”, tha Harper, raporton BBC, transmeton lajmi.net.

Edhe pse pranoi se autoritetet nuk i kishin kushtuar vëmendje sulmeve të mundshme terroriste, kryeministri Harper tha se autorët e sulmeve në Otavë nuk do të kenë asnjë strehë të sigurtë për tu fshehur.

Sulmuesi që vrau ushtarin dhe më pas shtiu edhe brenda ndërtesës së Parlamentit u qëllua për vdekje nga rreshteri Kevin Vickers.

“Deputetët dhe stafi i Parlamentit i janë mirënjohës rreshterit Vickers që ua shpëtoi jetët”, ka shkruar në Tëitter deputeti demokrat, Craig Scott.

Të enjten, në një konferencë për media, policia ka bërë të ditur se situata vazhdon të mbetet e paqëndrueshme, pasi dyshohet se ka më shumë sulmues, të cilët po fshihen brenda në kryeqytet.

Parlamenti i Kanadasë, vazhdon të jetë i rrethuar me policë, ashtu si shumë pjesë të tjera në Otava, por kryeministri është zotuar se ngjarjet e një dite më parë e bëjnë Kanadanë edhe më të fortë.

Kanadaja, në fillim të muajit tetor i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që vazhdojnë të kryejnë sulme ajrore kundër militantëve të “Shtetit Islamik”, të shpallur në muajin në Irak dhe Siri.

Video e xhiruar me telefon celular në momentin kur brenda ndërteses së Parlamentit u vra sulmuesi.