Kampi i ISIS-it në Stamboll, trajnonte fëmijët për tu bërë terroristë

Policia turke ka arrestuar dhjetëra të dyshuar të lidhur me ISIS-in, në mesin e tyre 24 nën moshën 18 vjeç, të cilët po trajnoheshin për të vepruar në Siri dhe Irak si militantë të shtetit islamik, shkruan RT.

Bota

20/10/2015 15:49

Sipas të përditshmes turke Vatan, drejtoria e departamentit anti-terror në Stamboll, ka arrestuar dhjetëra të huaj në njërin prej qyteteve më të mëdha të Turqisë. Të arrestuarit dyshohet se po përgatiteshin të transferohen në zona të Sirisë dhe Irakut që kontrollohen nga shteti islamik, transmeton lajmi.net.

Detektivët turq kishin arritur të shënjestrojnë 18 shtëpi në distriktin lindor Pendik të Stambollit. Njësitet e operacioneve speciale të mbështetura nga helikopterët, në të njëjtën kohë kanë arritur të bastisin gjitha adresat e dyshimta. Bastisjet ishin pjesë e hetimit mbi sulmin masiv terrorist, që la të vrarë mbi 100 persona në kryeqytetin turk, Ankara.

Gjithsej janë arrestuar 53 persona, përfshirë 24 të mitur, që të gjithë nga vendet e Azisë Qendrore siç janë Taxhikistani dhe Uzbekistani. Të miturit janë dërguar në selinë e byrosë për fëmijë në Pendik, derisa pjesa tjetër e tyre janë dërguar në selinë e drejtorisë së departamentit anti-terror, për tu marrë në pyetje. Sipas autoriteteve turke, shumica prej tyre kishin hyre ilegalisht në Turqi.

Njësitet anti-terror, kanë bërë të ditur se posedojnë prova të mjaftueshme se qytetarët e Uzbekistanit dhe Taxhikistanit të arrestuar nga autoritetet turke kanë lidhje me shtetin islamik, pasi gjatë bastisjeve kanë arritur tu gjejnë harta të zonave të konflikteve në Siri dhe Irak si dhe dokumente tjera.

Autoritetet turke besojnë se të dyshuarit kishin organizuar trajnime për 24 të miturit në bodrumet e objekteve të bastisura. Fëmijët aty mësonin islamin radikal, ideologjinë ekstremiste dhe rregullat për të jetuar në zonat e kontrolluara nga shteti islamik. (lajmi.net)