Kamishi kërcënon e shantazhon komisionarët e VV-së
Sa më shumë që po afrohet dita e zgjedhjeve, në Skenderaj fushata e partisë që ishte në pushtet deri më tani po egërsohet gjithnjë e më shumë, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Shtabi Zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj.
Lajme
Në komunikatë të VV-së thuhet se edhe zyrtarë të pushtetit lokal janë vënë në dispozicion të fushatës së kandidatëve të caktuar të PDK-së. Tutje thuhet se të mërkurën janë parë inspektorë komunalë duke ndihmuar aktivistët e kësaj partie që të vendosnin postera të kandidatit për deputet, Bekim Haxhiu – Kamishi.
“Ky (Kamishi, v.j.), nga lakmia për të qenë me çdo kusht deputet edhe në mandatin e ardhshëm, edhe nga droja se kësaj here nuk do ta votojnë, po ushtron një fushatë të ndyrë – në dëm të Lëvizjes Vetëvendosje. Ai, i shoqëruar nga një marionetë e tij – të cilën kohë më parë kishte arritur ta infiltronte te Vetëvendosje, po shkon nga një komisionar i VV-së te tjetri për t’i shantazhuar e kërcënuar ata dhe familjet e tyre, në mënyra të ndryshme, për t’i detyruar të tërhiqen, apo të punojnë në favor të tij”, thuhet në komunikatën e VV-së, në të cilën është raportuar ky rast, transmeton Koha Ditore.