Kamioni i mbeturinave mbyti 6 persona në Glasgow

Një kamion për bartjen e mbeturinave u fut në shpejtësi të plotë në mesin e kalimtarëve në qendër të qytetit më të madh në Skoci, Glasgow, duke vrarë në këtë mënyrë të paktën gjashtë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.

Bota

22/12/2014 18:54

Një numër i madh njerëzish, kryesisht blerës të dhuratave për Krishtlindje, ishte duke pritur të ndizej  drita e gjelbër në semafor, kur kamioni i mbeturinave me shpejtësi të madhe i goditi ata.

Dëshmitarët thanë se disa nga viktimat “fluturuan” deri në 15 metra largësi, ndërsa ekipet e shumta të ndihmës së shpejtë po iu ndihmojnë të plagosurve përgjatë rrugës në qendrën e ngushtë të qytetit.

“Kamioni u ndal vetëm pasi goditi një ndërtesë”, tha një dëshmitar okular.

“Të goditurit nuk ia dolën të reagojnë pasi që kamioni iu erdhi pas shpine. Në mesin e tyre ishte edhe një foshnjë dhe dy fëmijë të vegjël. Ishte tmerr i vërtetë”, shtoi ai.

Policia skoceze është duke e hetuar shkakun e këtij aksidenti dhe deri tash nuk është hedhur asnjë skenar i mundshëm, madje as ai i një sulmi terrorist.