Kamionët rusë i afrohen kufirit ukrainas

Më shumë se 100 kamionë me "ndihma humanitare" nga Rusia, i janë afruar kufirit me Ukrainën, por ende ka konfuzionin se cili do të jetë destinacioni i tyre përfundimtar.

Bota

14/08/2014 11:51

Kamionët kanë shkuar drejtë Rostovit, qytet rus pranë zonave rebele në Ukrainën lindore, transmeton BBC.

Rusia ka hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve ukrainase se karvani me kamionë është një pretekst i Moskës zyrtare për të dërguar armë për rebelët pro-rusë, duke e konsideruar këtë si diçka “absdurde”.

Por, autoritetet ukrainase, që njëherë kishin këmbëngulur se nuk duan ndihma nga agresori, kanë thënë se karvani me kamionë duhet të inspektohet nga monitoruesit ndërkombëtarë, përpara se të lejohet ta kalojë kufirin.

Luftimet në lindje të Ukrainës, në rajonet Donetsk dhe Luhansk, janë intensifikuar në javët e fundit dhe ësht rritur numri i vdekjeve, ndërsa dhjetëra mijëra kanë lëshuar shtëpitë e tyre, kanë njoftuar zyrtarë të OKB-së.

Mbi 2080 veta janë vrarë nga konflikti i filluar në muajin prill, prej të cilëve gjysma vetëm gjatë dy javëve të fundit.

Të mërkurën, karvani u ishte ndalur në zonën Voronezh, 570 kilometër në veri të Rostov-it.

Ka pasur raporte se ky karvan është “zhdukur” më vonë, për tu shfaqur të enjten sërish në afërsi të kufirit me Ukrainën.

Rebelët pro-rusë në rajonet e Donetsk-it dhe Luhansk-it, duan ta ndjekin rrugën e Krimesë.

Rusia aneksoi Krimenë, e cila shpalli pavarësinë nga Ukraina në muajin mars, një veprim i cili shkaktoi raundin e parë të sanksioneve perëndimore kundër Moskës.

Kamionët, sipas mediave shtetërore ruse, mbajnë rreth 2 mijë tonë ndihma, të cilët u larguan nga Moska mëngjesin e së martës, thonë media dhe zyrtarë rus.

Televizionet ruse tregojnë se brenda këtyre kamionëve ka ndihma të ndryshme, përfshirë grurin, ushqime për fëmijë e medikamente, të cilat do të shkojnë për civilët e bllokuar nga luftimet në zonën e mbajtur nga rebelët pro-rusë.