Kamatë 100% në muaj – Prokuroria e Prizrenit kërkon paraburgim ndaj dy të dyshuarve për fajde

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Fajdeja”. Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit F.B. dhe L.G. ndodhen në ndalim 48-orësh, pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331,…

Lajme

20/02/2026 14:58

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj dy personave të arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Fajdeja”.

Sipas njoftimit zyrtar, të pandehurit F.B. dhe L.G. ndodhen në ndalim 48-orësh, pasi dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Prokuroria bën të ditur se rasti ka ndodhur në periudhën nga 13 dhjetori 2025 deri më 19 shkurt 2026 në Prizren. Dy të dyshuarit, sipas hetimeve, kanë shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit B.K., duke i dhënë hua një shumë parash me kamatë mujore prej 100 për qind.

Huaja fillimisht është marrë më 13 dhjetor 2025 nga i pandehuri F.B., ndërsa shumën e ka siguruar L.G. Kur i dëmtuari nuk ka arritur ta kthejë borxhin, ai ka kërkuar shtyrje të afatit deri në muajin korrik, por të dyshuarit, sipas prokurorisë, kanë pranuar vetëm një shtyrje njëmujore. Në pamundësi për të siguruar mjetet financiare, i dëmtuari ka njoftuar policinë.

Në kuadër të hetimeve, prokuroria ka sekuestruar para të gatshme, pajisje elektronike dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.

Prokuroria Themelore në Prizren ka theksuar se mbetet e angazhuar në luftimin e veprave penale, forcimin e sundimit të ligjit dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin./lajmi.net/