“Kam ngrënë bukë të qenit”/ Familja Rukovci shumë herë edhe në rrugë, kërkon strehim

“Disa ve i kemi pasë dhe ato i kemi ngrënë. Ne kemi ushqimin vetëm ve sepse tjera sene nuk kemi kushte me i bë. Nuk kemi as shporet, asgjë”.

Lajme

26/02/2021 16:04

Kjo është jeta që bënë familja Rukovci nga Prishtina. Ditët i kanë kalojnë vështirë. Shumë herë nuk arrijnë të sigurojnë ushqimin. Përveç kësaj, familja katër antarëshe problem të vazhdueshëm po e ka vendbanimin. Disa herë kanë ndërruar banesat me qira, pasi pronarët e tyre nuk i lanë të qëndrojnë. Kjo pasi nuk po ia dalin të mbulojnë shpenzimet e qirasë, raporton lajmi.net.

E zoja e shtëpisë, Agnesa Rukovci ka treguar për lajmi.net se burri i saj mundohet të gjejë punë krahu për të siguruar ushqimin dhe pak të ardhura për qira,  por shumë herë nuk arrinë ta bëjë këtë.

Ajo ka treguar i kishin premtuar pagesën e qirasë për një vit, por që kjo ndodhi vetëm dy muaj dhe pastaj u detyruan të largohen nga ai vendbanim.

“Dy gra kanë dalë me ma pagu qiranë për një vit. Unë ju kam thënë atyre që nëse nuk ma paguani, mos më largoni sepse mbeten rrugëve sepse nuk kam pare me pagu. Shkova hina në një banesë me qira, ato ma paguan vetëm për dy muaj. Ma paguan për vetëm për dy muaj sepse unë e kam bërë një postim që pas një viti me më ndihmu dikush. Ato u preken për këtë dhe më thanë se na ke qit rrence. Ato nuk e di a e kanë bërë për emër apo për të lumin Allah apo për këta fëmijë. Më lanë midis bore, bora më e madhe, që më ka largu qiraxhija. Ai më mbajti një muaj pa pagesë, por kur më ka ra më së keqi me dal në borë”, tha ajo.

Kur kishin liruar shtëpinë ku qëndronin më parë, ata nuk u ndanë mirë më pronarin e saj. Madje, u dëbuan derisa nuk kishin asnjë cent në xhep.

“Një shoqes ia tregova rastin, që jam me qira dhe që dy gra ma kanë pagu. I tregova që më nuk po ma paguajnë dhe ajo tha po ta paguaj për muajin shkurt. Më mbeti shkurti sepse diskutoi me burrin. Na ra me dalë sepse ai na shajti.. Ia kemi lypë paret sepse fëmija mbetshin pa bukë. Jo tha paret nuk t’i kthej sepse ato janë bë njet për me qëndru, nëse don qëndro, nëse jo derën e ke hap dhe nuk paret nuk i kthej. Na dolëm pa asnjë cent në xhep”, ka treguar ajo.

Cifti Rukovci me dy fëmijët, vajzën 4 vjeçare dhe djalin 10 muajsh, tani po qëndrojnë në një dhomë me qira në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë. Gjithçka që kanë është kjo dhomë, të cilën prej nesër u duhet ta lirojnë, pasi nuk po arrijnë të paguajnë qiranë prej 140 eurosh.

“Ky më ka tregu se deri të vjen vëllau nëse rrini me pagu, ai ta rregullon kuzhinën. Por, pa na bjen me dalë sepse nuk kemi me ja pagu… Unë i kam bërë teshat gati. Nesër duhet me lëshu, sonte është nata e fundit që mundemi me flejt këtu.. Në rrugë. Ku kemi me shku?”, ka vazhduar ajo.

Kushtet e rënda në të cilat filluan jetën dhe po vazhdojnë,  kanë bërë që të përballen me të papritura që u kanë rrezikuar jetën.  Vajza e kësaj familje ishte rrezikuar nga zvarranikë, që gjendeshin në ambientin ku jetonin. E, kjo fatëkeqësi bëri që për një vit strehë të gjenë në një dhomë spitali.

“Një vit kam qëndru në spital, ma ka mundësu drejtori i spitalit. Ka vjellë vajza, tugë e bark. U helmu me karrabishta, i kanë hy karrabishtat brenda në gojë… Ka qenë flejt kur i kanë hy. Kur e kemi dërgu te mjeku, tugë e gjakë. I kam tregu mjekut që nuk i kemi kushtet, jetojmë në një garzhë, pa ujë e pa asgjë. Drejtori i spitalit tha se munëni me qëndru te unë, në spital të fëmijëve.. në dhomë të spitalit”, tregoi ajo.

Përveç kësaj vajza 4 vjeçare kishte edhe probleme tjera si pasojë se mungesës së ushqimit.

“Shumë herë çikës i ka ra të fiktë pa hongër. Kam dalë më lypë më kanë thënë boll më se edhe ne nuk kemi. Më ka mbet qe sa herë pa hanger”, ka rrëfyer Rukovci.

E, atë pak ushqim që arrijnë ta sigurojnë asaj i duhet që ta përgatisë në këtë hapësirë. Kjo pasi mungon çdo element tjetër, apo një kuzhinë.

Si pasojë e mungesës së ushqimit, ajo ishte detyruar që urinë ta shuaj me mbetje ushqimore që ishin ndarë për kafshë.

“Para një jave ka ndodhë, kur u untova, fëmijët i pata flejtë, u untova dhe nuk pata çka me hëngër. Nuk kam çka me ngrënë për vete, vajza që është e madhe i jap qumshtë, si djalit. Unë kam ardhë tek ky që len ky njeri bukë për qenë. E kam marrë gjyamsën e pjesës, kam hëngër dhe jam sëmu. Prej asaj dite nuk kam ardhë në vete. Nuk kish ma rëndë se me marrë bukë që është për qenë e me ngrënë”, ka thënë ajo.

Në hapësirën ku po qëndrojnë me qira banjën e kanë të improvizuar, me shumë mungesa. Kjo pasi i zoti i shtëpisë nuk u lejon që të përdoret ndonjë pjesë tjetër e shtëpisë së tij, përveç dhomës së gjumit.

“Unë kisha thënë me më ndihmu. Me ma gjet një zgjidhje. Më duhet me dalë prej këtu sepse nuk po kam me pagu”, ka përfunduar Rukovci.

Të gjithë të interesuar për të ndihmuar familjen e Agnesa Rukovcit mund të kontaktojnë me të në +38345441314/Lajmi.net/