Kam fakte

Biznesmeni dhe Deputeti Ramiz Kelmendi thotë se ka fakte për personin që i ka kërkuar 250 mijë euro e që sipas tij është anëtar i Vetëvendosjes. Pret që të vendos gjykata, se deklaratat e tij janë shpifje apo të vërteta.

Lajme

24/01/2014 11:25

Deputeti i AAK`së njëherësh pronar i kompanisë “ELKOS Grup”, Rami Kelmendi, deklaroi se gjykata është e hapur për lëndë të ndryshme dhe sipas tij, i mbetet drejtësisë të vendos se a kanë qenë deklaratat e tij shpifje apo të vërteta.

Në ditën kur Inspeksioni i Komunës së Prishtinës i rrënoi një pjesë të objektit afarist në lagjen Kodra e Trimave, Kelmendi u shpreh se një anëtar i Vetëvendosjes, Avni Krasniqi, që kishte qenë pronar i tokës ku është ndërtuar objekti, i kishte kërkuar atij 250 mijë euro haraç.

Për shkak të kësaj deklarate, Vetëvendosje sot ngriti padi civile ndaj biznesmenti dhe Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga AAK.

Në një prononcim për lajmi.net, Ramiz Kelmendi tha sot se personi që i ka kërkuar 250 mijë euro është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deklarata ime qëndron sepse unë kam fakte për personin në fjalë dhe dëshmitarë që personi në fjalë po më kërcënon për jetë dhe mi kërkon 250 mijë euro”.

“Kam njohuri që personi është anëtar i Vetëvendosjes. A është aktiv a nuk është unë nuk e di, por e di që është anëtar i Vetëvendosjes nga parimi dhe thënia e tij”.

“Unë nuk pres nga Vetëvendosje ndonjë lavdërim ose ndonjë përkrahje, por pres këso gjërash që shkojnë në dëm të zhvillimit të biznesit pasi që politika e tyre zhvillimore është socialiste në raport me politikën tonë zhvillimore”.

Tash kur çështja ka shkuar në gjykatë, Kelmendi thotë se do të presë vendimin e drejtësisë.

“Gjyqi është i hapur për lëndë të ndryshme ai është një institucion i pavarur, i cili  marrë parasysh të gjitha faktet, edhe unë kam shkuar në polici dhe e kam denoncuar për personin në fjalë dhe I mbetet gjyqit që të vendos a është shpifje apo është e vërtet”, tha Kelmendi për lajmi.net.