Kallëzim penal ndaj Fadil Nurës për keqpërdorim të pozitës, intervistohet nga Prokuroria Speciale

Florentina Shala-Gashi më 18 tetor 2024 ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj kryetarit të Komunës se Skenderajt, Fadil Nura, mbi pretendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e shtetit. Për këtë rast, kryetari Nura ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është intervistuar nga Prokuroria. PSRK…

Lajme

07/12/2024 10:21

Florentina Shala-Gashi më 18 tetor 2024 ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ndaj kryetarit të Komunës se Skenderajt, Fadil Nura, mbi pretendimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, duke dëmtuar buxhetin e shtetit.

Për këtë rast, kryetari Nura ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se është intervistuar nga Prokuroria. PSRK ka refuzuar të përgjigjet nëse ka vendim për fillim të hetimeve me arsyetimin se çfarëdo informacioni që publikohet mund të dëmtojë procesin e punës së Prokurorisë në këtë rast.

Në kallëzimin penal të ushtruar nga Shala-Gashi, thuhet se kryetari i Komunës, ia kishte ndërruar asaj pozitën e punës nga zëvendësdrejtore e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Skenderaj, duke e caktuar Sekretare të Shërbimit të Administratës dhe Personelit. Ndërsa, në pozitën e zëvendësdrejtorit kishte caktuar Ferat Kabashin.

Shala-Gashi, në kallëzim penal kishte thënë se pozitën e zv/drejtores e kishte ushtruar deri në ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.

Aty thuhet se më 28 dhjetor 2021, kryetari i ri i Komunës, Fadil Nura kishte vendosur që Shala-Gashit t’ia ndërrojë pozitën duke e kthyer në pozitën më të ulët që kishte pasur, më koeficient H-6-850.  Po me këtë datë, në pozitë të saj pa konkurs kishte caktuar Ferat Kabashin nga pozita e infermierit në pozitën e zv/drejtorit të QKMF-së, po ashtu me koeficientin  (H-6, 850).

Sipas saj, për një vit të dy kanë mbajtur koeficientin e njëjtë, kështu pretendon se kryetari ka dëmtuar buxhetin e Komunës për 17 mijë e 418 euro e 50 centë nga data e emërimit e deri më tnai.

Në anën tjetër, sipas këtij kallëzimi penal, pas një viti Shala-Gashi ka kërkuar përmes e-mailit nga kryetari Nura ta kthejë atë në pozitën për të cilën ka të lidhur edhe kontratën, por që nuk ka marrë përgjigje. E njëjta, aty thuhet se i është drejtuar Inspektoratit të Punës. Ky i fundit, i ka shqiptuar vërejtje dhe kishte obliguar kryetarin Nura t‘i eliminojë parregullsitë.

Pas kësaj, thuhet se më 28 shkurt 2023, Nura kishte marrë vendim për anulim të konkursit për zëvendësdrejtor, duke obliguar departamentin për burime njerëzore të bëjë shkëputjen e kontratës më Shala-Gashin për këtë pozitë dhe ta kthejë në pozitën zyrtare për personel dhe administratë.

Për këto shkelje, sipas një vendimi të Inspektoratit të Punës, Nura është gjobitur me 1 mijë e 500 euro.

Shala-Gashi është drejtuar edhe me padi në Gjykatë Themelore në Mitrovicë, ku shkalla e parë ia ka aprovuar në tërësi këtë padi për ta kthyer në vendin e punës së zëvendësdrejtore, ndërsa rasti tashmë gjendet në Gjykatën e Apelit.

Në kallëzim penal, ndër të tjera thuhet se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pagat, institucionet kanë qenë të obliguara të përgatisin listën e punonjësve që të bëhet barasvlerësimi i koeficienteve të vjetër me ata të ri, por që Ferat Kabashi është lënë pa koeficient me komentin që do të bëhet rishqyrtimi pas përfundimit të procesit gjyqësor.

Në lidhje me ushtrimin e kallëzimit penal ndaj tij, kryetari Nura ka thënë për “Betimi për Drejtësi” se është e drejtë e secilit nëse mendon që i janë shkelur të drejtat.

Nura thotë se Shala-Gashit, nuk i është shkëputur kontrata por vetëm është anuluar konkursi dhe procedura e përzgjedhjes se zv/drejtorit të QKMF-së, pasi sipas tij, në këtë proces ishte shkelur Ligji për Zyrtarët Publikë dhe Ligji i Punës. Gjithashtu, thotë se është shkelur Udhëzimi Administrativ për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik.

“Citoj-‘konkursi publik duhet të përsëritet nëse së paku 3 kandidat nuk i plotësojnë kushtet e parapara në konkurs”, është përgjigjur Nura.

Sipas tij, Ligji përcakton se nivelet e larta drejtuese dhe pozitat menaxheriale zgjidhen me mandat 4-vjeçar.

“Pra, i gjithë procesi nga fillimi deri në nënshkrimin e kontratës ka rrjedhur duke shkelur ligjet dhe dispozitat ligjore të lartcekura, duke filluar prej dispozitave në të cilën është thirr konkursi kohëzgjatja e vendit të punës i cili do duhej të ishte mandator e jo i përhershëm ngase ligji përcakton se nivelet e larta drejtuese dhe pozitat menaxheriale zgjidhen me mandate 4 vjeçar pastaj mosplotësimi i kritereve bazike duke filluar nga mungesa e përvojës deri të kandidatura e vetme e saje në këtë konkurs”, thuhet në përgjigjen e Nurës.

Ai thotë se Shala-Gashi është kthyer me vullnetin e saj në pozitën e mëhershme.

“Nuk i është shkëputur kontrata e marrëdhënies së punës personit në fjalë ngase është transferuar me vullnetin e saje në një pozitë tjetër në kuadër të QKMF-së”, ka thënë kryetari, duke theksuar sërish se ajo ishte kthyer me vullnet të plotë në pozitën e mëhershme.

Nura thotë se konkursi për këtë pozitë është shpallur dhe anuluar dy herë, ndërsa shton se Ferat Kabashi po mban këtë pozitë si ushtrues detyre. Pra, ky i fundit këtë pozitë si ushtrues detyre e mban që nga 23 dhjetori 2021.

Në anën tjetër, i pyetur lidhur me ushtrimin e detyrës se kësaj pozite për kaq kohë, duke e ditur se ligji lejon 6+6 muaj që një pozitë të jetë me ushtrues detyre, Ferat Kabashi tha se pozitën e mban nga viti 2022, kurse shtoi se vendimet i merr drejtori dhe KD i QKMF-së.

“Prej vitit 2022 e mbajë këtë pozitë, pasi qe dy here ka dal konkursi edhe është anuluar. Sa i përket vendimeve unë nuk kam marr vendime, Vendimet i merr drejtori dhe Këshilli Drejtues i QKMF-së”, thuhet në përgjigjen e Kabashit.