Kalimi nga një bllok politik në tjetrin, për poste
Petrit Zogaj nga FOL ka thënë se kushdo nga blloku opozitar që pranon të qeverisë me PDK-në i bie që po e bën këtë për “pozita” që i ofrohen dhe jo për shkaqe programore. Për Ismet Beqirin e LDK-së, PDK po zhvillon "luftë speciale". Ndërkaq, Ahmet Isufi thotë se Qeveria krijohet me argumente dhe jo me deklarata në media.

Lajme
Përpjekjet e PDK-së për të gjetur partnerin e saj për koalicion qeverisës, Ismet Beqirit nga LDK i duket si “luftë speciale”.
Ai për KTV ka thënë se asnjë përfaqësues i LDK-së nuk është takuar me ata të PDK-së, duke shtuar se partia e tij është e vendosur që t’i përmbahet marrëveshjes së arritur me AAK-në dhe Nismën, të cilët janë dakorduar për të qeverisur së bashku me vendin.
“Ndër specialitetet e PDK-së është lufta speciale dhe propaganda. Ky është një reflektim i panikut që ka PDK-ja dhe Thaçi, nga fakti që nuk kanë mundësitë për të krijuar Qeverinë, prandaj po e bëjnë një luftë të tillë speciale. Ne nuk kemi pasur takim me PDK-në dhe nuk kemi nevojë të takohemi. Ne si LDK kemi marrëveshje dhe asaj marrëveshje do t’i përmbahemi. Kjo është një luftë speciale propagandistike për të krijuar mjegulli dhe huti tek qytetarët. Ne jemi të bindur në atë që kemi marrë vendim dhe jemi të bindur se një qeverisje me PDK-në është e pamundur dhe e dëmshme për vendin”, ka thënë Beqiri.
Ndërkaq, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi shprehet se PDK nuk ka lënë “hapësirë” që ndonjëra prej partive opozitare të shprehte vullnet për të bashkëqeverisur me të. Ai thotë se deklaratat e fundit se PDK është vënë në “aksion” në të gjitha kampet opozitare, për të bindur ndokë për të arritur marrëveshje, është sa për të krijuar “aktualitet”.
“Aktualiteti nuk krijohet as me presione, as me mënyra të trillimeve që po ndodhin përmes deklarateve në media, por Qeveria krijohet në bazë të argumenteve, të numrave ekzistues dhe të partive politike të cilat merren vesh në mes vete për të qeverisur. PDK nuk ka lënë hapësirë që njëra nga partitë tjera t’i bashkohet në qeverisje, sepse dy mandate nuk i ka përfunduar, nuk është sjell fer me partitë e tjera politike”.
Ndërkaq, Petrit Zogaj nga FOL ka thënë se kushdo nga blloku opozitar që pranon të qeverisë me PDK-në i bie që po e bënë këtë për “pozita” që i ofrohen dhe jo për shkaqe programore.
“Nëse një parti politike e ndryshon bllokun aktual dhe kalon me PDK-në, atëherë as atëherë nuk ka qenë me bllokun opozitar për shkaqe programore, as tash nuk po shkon me PDK-në për shkaqe programore. Po shkon thjesht për një pozitë që po i ofrohet”, ka thënë ai, raporton KTV.