Kalifi dhe Doktori, konflikti mes al Kaedës dhe ISIS-it

Konflikti mes ISIS dhe al Kaedës i ka rrënjët e lashta. Dy fytyra të ndryshme të xhihadit global, të dyja të rrezikshme.

Bota

28/02/2015 22:08

 

Në lojën komplekse të pasqyrave dhe labirinteve që është “lufta asimetrike”, e cila ka mbështjellë prej kohësh pjesën më të madhe të botës islamike, ka një refleks, ose më saktë një konflikt që po luftohten në mënyrë më pak të dukshme se të tjerët dhe i cili, megjithatë, ka një rëndësi jo dytësore.

Është lufta, tashmë e dukshme, ndonëse e pashpallur zyrtarisht, mes al Kaedës “së vjetër”, udhëhequr nga doktor Aiman al Zavahiri dhe Shtetit Islamik, me Kalifin al Bagdadi. Një luftë që e ka fillesën në përplasjen tashmë një-vjecare për udhëheqjen e galaksisë komplekse xhihadiste, që prapa dukjes së një marrëveshjeve mes dy organizatave, është e fshehur  që kur ISIS quhej ende Al Kaeda në Irak dhe atë e udhëhiqte themeluesi i saj, al Zarkavi; madje pikërisht atëherë, në kulmin e konfliktit me trupat amerikane që kishin rrëzuar regjimin e Sadam Huseinit, u shfaqën dallimet e parë radikalë mes organizatës irakene dhe “rrjetit” të themeluar nga bin Ladeni, dallime që me kalimin e kohës erdhën duke u theksuar, duke krijuar një hendek që sot është e vështirë të mbushet. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për një cështje lidershipi – Kalifi kundër doktor Zavahirit – por pikësëpari, edhe për një vizion strategjik, si dhe një ideologji. Thënë ndryshe, një interpretim i Islamit.

Përpiqemi atëherë të sintetizojmë dallimet parësorë mes trashëgimtarëve të bin ladenit dhe xhihadistëve të rinj. Pikësëpari janë dallimet në doktrinë, sa i përket interpretimit të Islamit radikal. Al Kaeda ka një matricë të qartë vehabiste/salafite, që është e njëjta e ISIS; megjithatë as Bin Ladeni, as Al Zavahiri nuk janë përpjekur të vënë shumë theksin në dallimin mes sunitëve dhe shiitëve – që edhe për ta janë “heretikë” – për të shmangur hyrjen në një konflikt të hapur me Iranin e ajatollahëve dhe me organizata si Hezbollahu në Liban, pa harruar vetë Hamasin palestinez, që ndonëse i formuar nga sunitë, dihet mirë se është i lidhur me fije të dyfishta me Iranin.

Po kështu, al Kaeda as e ka miratuar, as e ka favorizuar luftën, apo më saktë xhihadin kundër të ashtuquajturve “myslimanë të këqinj”, ose më saktë të gjithë ata që ndjekin forma të Islamit, që janë pak të pajtueshme me radikalët islamikë. Dhe kjo sepse qëllimi kryesor i bin Ladenit dhe pasardhësve të tij ka qenë gjithmonë ai i bashkimit sa më shumë të jetë e mundur e botës islamike kundër perëndimit, thënë me fjalë të thjeshta, në fillim kundër sovjetikëve në Afganistan, më pas në një nivel gjithnjë e më global kundër SHBA, që konsideroheshin Armiku Numër Një i botës islamike. Prej këtu buron strategjia e goditjes së objektivave në Perëndim, si dhe thurjes së një lloj rrjete ndërlidhjesh mes të gjithë organizatave xhihadiste në orbitën islamike, pa u kushtuar shumë rëndësi cështjeve doktrinare. Po kështu, Al Kaeda, që e përkthyer do të thotë “baza” ka qenë gjithmonë më shumë se gjithcka tjetër, një “platformë”, e dobishme për të bashkuar dhe lidhur xhihadistët, por jo tamam një drejtim strategjik. Të gjithë aksionet e komanduar prej saj kanë synuar gjithmonë të qëllojnë Perëndimin dhe në Perëndim: nga dy Kullat Binjake, deri tek masakra e Parisit, që jo më kot u krye nga njerëz të al Kaedës në Gadishullin Arabik.

Organizata e themeluar nga bin Ladeni nuk është përpjekur asnjëherë që të kryejë role qeverisës, edhe në vendet që i ofruan bazë dhe mbrojtje, si Afganistani i talebanëve apo Sudani, dhe e ka konsideruar gjithmonë rilindjen e Kalifatit si një objektiv të largët, një lloj miti politiko-eskatologjik.

Në të kundërt, ISIS karakterizohet prej kohësh si një organizim që synon të pushtojë një territor të përcaktuar qartë, si dhe t’i japë atij një formë shtetërore, administrative dhe juridike. Aksionet e tij kanë patur gjithmonë në shënjestër teatro si ai i Irakut, më pas Sirisë, me një ekspansion si ai i “njollës së naftës”, në Liban, Egjipt dhe nga Libia në vendet e Maghrebit. Objektivi ka qenë gjithmonë ai i krijimit të një Shteti të vërtetë Islamik, embrioni i parë i Kalifatit të ri. Dhe drejtimi i tij strategjik është oligarkik, i llojit ushtarak, i volitshëm për të realizuar fushata pushtimi territorial, më pak efikas për të goditur në perëndim, jashtë botës islamike. Atje ku, Kalifi u bën thirrje “qenve të vetmuar”, një lloj spontanizmi i armatosur, i cili nuk është i parashikueshëm pikërisht sepse nuk është i organizuar.

Objektivi i parë i ISIS nuk është armiku Perëndimor, që konsiderohet i largët, por qeveritë dhe regjimet e botës arabo-islamike që konsiderohen të pafe. Xhihadi i Kalifit drejtohet mbi të gjitha kundër “heretikëve” shiitë, e pra kundër iranianëve, më pas kundër të gjithë atyre sunitëve që nuk pranojnë versionin radikal të Islamit që predikon ISIS, dhe që lartësohet prej tij në teologji totalitare. Në thelb, Perëndimorët duhet të luftohen mbi të gjitha sepse, në këtë fazë, ata pengojnë projektin e krijimit të Kalifatit të madh global. Qëllimi final i të cilit, gjithësesi, është pushtimi dhe nënshtrimi i të gjithë botës. Por për momentin, aksioni i ISIS zhvillohet më shumë në një plan ekspansioni territorial, aq sa “marka” e tij, ndryshe nga al Kaeda, kërkon jo vetëm një përkatësi ideologjike, por edhe pranimin e një lidhjeje gjithnjë e më të ngushtë me qendrën e Kalifatit. Pra kemi të bëjmë me një lloj nënshtrimi feudal, si ai që duket se karakterizon marrëdhënien mes ISIS dhe të ashtuquajturit “Emirati i Dernas” në Libi. Suksesi i ISIS bëhet i qartë prej përhapjes së “markës” së tij dhe flamujve të tij në gjithnjë e më shumë grupe xhihadistë, nga Azia Qendrore në Kaukaz, deri në Afrikën nënsahariane. Një konkurrencë që po vë në vështirësi al Kaedën, e cila pikërisht për këtë arsye përpiqet të fitojë dukshmëri përmes aksioneve si ai i Parisit.

Ndërkohë që ISIS, të paktën për momentin, duket se i konsideron Europën dhe SHBA më shumë si zona rekrutimi. (Andrea Marcigliano për Il Giornale – bota.al)