Kajtazi: EULEX mund të më padis, nëse kam shpifur (video)

Vehbi Kajtazi shprehet i hapur të hetohet nëse vërtetohet se ka të pavërteta në shkrimet të tija lidhur me aferat e korrupsionit në EULEX.

Lajme

30/10/2014 13:51

I pranishëm në konferencën e sotme të misionit ndërkombëtar EULEX, Kajtazi ka thënë se pikërisht për raportimet e tij nuk iu dha as fjala për të bërë pyetje të enjten apo për t’u sqaruar lidhur me akuzat që i janë bërë atij.

Kajtazi thotë se të enjten u akuzua për shpifje për presionin e shantazh që i ka bërë misioni ndërkombëtar, përkatësisht këshilltarja e shefit të EULEX-it.

“Këshilltarja e shefit të EULEX-it më ka thënë se nëse unë shkruaj për këto çështje, që i quan nën hetim atëherë, mund të ndiqem penalisht për këtë. Këtë ma ka thënë në prani të zonjës Dragana, shefes së zyres së informimit të EULEX-it dhe të një përkthyese”.

“Unë inkurajoj EULEX-in që, nëse kam shpifur të më padis në cilën gjykatë që ata duan, por, unë për këtë kam dëshmi. Dhe, sigurisht që unë do t’i nxjerrë këto dëshmi në momentin që ata do të më dërgojnë në gjykatë”.

“Presioni që kam pasur prej zyrtarëve të EULEX-it ka qenë direkt shantazh i drejtëpërdrejtë që unë të mos raportojë për këto dhe për këtë skandal i cili sapo ka shpërthyer tash”, ka thënë gazetari.

Ndërkaq, shefi i EULEX-it Gabriel Meucci, lidhur me rastin në fjalë, tha se stafi i tij është takuar me mediat në besim të plotë në mënyrë që t’i jap përgjigje më specifike në lidhje me pyetjet.

“Stafi im është takuar me mediat në besim të plotë në mënyrë që të japë përgjigje më specifike në lidhje me pyetjet”.

“Asnjë prokuror i EULEX-it nuk është duke udhëhequr ndonjë rast penal lidhur me gazetarin në fjalë. Gazetari e di se është kështu, po të kishte ndonjë aktakuzë, gazetari do të informohej lidhur me këtë”, ka thënë Meucci.