Kadrijaj: Të hetohet keqpërdorimi i parasë publike gjatë pandemisë

Deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka kërkuar që të themelohet komisioni për hetimin e menaxhimit të pandemisë, duke thënë se duhet të hetohen dyshimet për keqpërdorimin e parasë publike, testet e pranuara nga Serbia dhe aspekte të tjera.

Lajme

04/06/2020 11:44

Kadriaj ka thënë se nuk ka qenë i vërtetë menaxhimi i mirë siç pretendohej. Ajo ka thënë se çdo herë që AAK ka ngritur akuzat ndaj kësaj gjëje, kanë pasuar akuzat.

“Nuk ka qenë e vërtetë menaxhimi i mirë. Të gjitha institucionet shëndetësore kanë deklaruar se ka pasur mungesë të shumë pajisjeve. Saherë që kemi dashur ta bëjmë publike, jemi akuzuar”, tha ajo.

Kadriaj tha se shqetësues ka qenë edhe procesi i riatdhesimit. Ajo tha se ministria e jashtme ua ndaloi ambasadorëve që t’u raportojnë deputëtëve për këtë proces.

“Shqetësuese për ne ka qenë edhe procesi i riatdhesimit. Ne ju kemi kërkuar edhe ambasadorëve për gjendjen e këtij procesi. Me kërkesë të Minsitrisë së Jashtme është ndal raportimi, pasi që u është thënë nga ministria se s’kanë të drejtë të raportojnë. Se ka pasur një keqmenaxhim të gjendjes pandemike, ajo vetëm se është pa dhe është dëshmuar”, theksoi ajo nga foltorja e Kuvendit.

Ajo ka kërkuar që grupi parlamentar t’i zbardhë të gjitha dyshimet e ngritura gjatë kësaj periudhe.

“Ne si grup parlamentar kërkojmë dhe është shqetësuese dhe të analizohet keqpërdorimi me paranë publike në periudhë pandemie, pranimi i testeve nga Serbia, pranimi i stafit mjekësor nga Serbia. Shkarkimi dhe emërimi i bordit të SHSKUK-së në mes të pandemisë. Ne kërkojmë që ky komision në mënyrë transparente ta trajtojë këtë çështje”, tha ajo. /Lajmi.net/