Kadri Veseli nuk është kundër takimit Thaçi-Limaj
Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka qëndrim pozitiv në atë që është raportuar nga lajmi.net për një takim të dyanshëm të Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt, për qartësimin e pozicioneve në PDK.
Lajme
Një takim midis Liderit të PDK’së, Hashim Thaçi dhe Deputetit Fatmir Limaj, për të sqaruar nëse rruga e tyre politike do të vazhdojë e përbashkët apo do të ndahet përfundimisht, siç bëhet e ditur, është planifikuar.
Dy figurat kryesore të Partisë Demokratike të Kosovës thuhet se planifikojnë të ulen së bashku, për ta dëgjuar njëri-tjetrin dhe për ta shpjeguar në tërësi situatën e krijuar tash e disa kohë, pas çarjeve që kanë ndodhur mes tyre.
Thaçi, siç pohohet, është i interesuar për ta ruajtur unitetin brenda partisë dhe për ta forcuar edhe më tutje atë.
Burimet thonë se Zëvendëskryetari i PDK’së, Kadri Veseli, po ashtu, ka qëndrim pozitiv në atë që është raportuar nga lajmi.net për një takim të dyanshëm të Hashim Thaçit dhe Fatmir Limajt, për qartësimin e pozicioneve të tyre ndaj partisë, strukturave, anëtarëve dhe votuesve të PDK’së.
Ditë më parë, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi, u ka bërë ftesë të hapur Limajt dhe Krasniqit për t’u kthyer në partinë që e kishin udhëhequr së bashku që prej përfundimit të luftës, duke pohuar se “uniteti dhe jo përçarja” nuk ishte thjesht mendim i tij i thënë fluturimthi, por një disponim i organeve të partisë.
Burime të lajmi.net, po ashtu, pohojnë se qëndrimi i Hajredin Kuçit nuk ka qenë personal, por është një qëndrim i diskutuar brenda partisë dhe është arritur pajtueshmëri se duhet të qartësohen pozicionet partiake të Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt.
Limaj dhe Krasniqi kanë dalë hapur me pakënaqësitë e tyre për zhvillimet brenda partisë, ndërsa në zgjedhjet lokale ata kanë mbështetur iniciativa qytetare dhe kanë kërkuar votat për to, në garë me PDK’në.
Por, ata nuk kanë deklaruar hapur se po shkëputen zyrtarisht nga PDK, ndërkohë që formimi i një partie të re politike nga ana e tyre nuk është konfirmuar ende.