Kadaj-Bujupi: Mustafa e Thaçi mund t’ia falin Serbisë tokat e tyre, jo Trepçën (Video)

Shefja e Grupit Parlamentar e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se çfarëdo përpjekje për ta evituar ndryshim-plotësimin e ligjit për ndërmarrje publike është dorëzim para Serbisë, dhe është krejtësisht i papranueshëm.

Lajme

19/01/2015 12:51

Deputetja Kadaj-Bujupi ka thënë se sot në Kuvend u dëshmua se kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, merr vendime për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi.

Kadaj-Bujupi ka thënë se deputetët e AAK-së do ta votojnë vetëm Projektligjin për kthimin e “Trepçës” në ndërmarrje publike me qëllim të evitimit që e njëjta të kalojë në duart e Serbisë.

“Të gjitha veprimet e tjera të cilat po kamuflohen në përpjekje për të evituar sjelljen dhe ndryshimin e këtij projektligji janë presion para Serbisë dhe deklaratave që i dëgjuam dje nga zyrtarët e këtij shteti në Beograd, e që u përkrahën sot nga ministrat e Isa Mustafës”, tha Kadaj Bujupi.

Sipas saj, shtyrja për miratimin e këtij proejktligji, la të kuptohej edhe atë se përse rezoluta, e cila ka kaluar në Kuvendin e Kosovës e që ka kërkuar një ligj të veçantë për “Trepçën”, nuk ishte zbatuar nga ish-kryeministri Hashim Thaçi.

“Zvarritja dhe bllokimi i këtij ligji tregon interesat individuale, mosgatishmërinë e këtyre njerëzve që të ballafaqohen me një të drejtë. Por Trepça është pasuria jonë, është simbol i rezistencës së qytetarëve të Kosovës. Isa dhe Hashimi mund t’ia falin Serbisë pronën e vet, por jo Trepçën dhe jo pronën publike të qytetarëve të vendit tonë”, ka ka thënë Kadaj-Bujupi.