Kadaj-Bujupi: Jemi të gatshëm për zgjedhje por kjo nuk është zgjidhja

Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se partia të cilës i takon është e gatshme që të shkojë në zgjedhje.

Lajme

04/03/2019 23:14

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se partia të cilës i takon është e gatshme që të shkojë në zgjedhje, mirëpo sipas saj, tani nuk është momenti i duhur për këtë gjë.

Kadaj-Bujupi ka shtuar se është me rëndësi që pozita dhe opozita të bëhen bashkë për tema të rëndësishme siç është dialogu me Serbinë, transmeton Klan Kosova.

“Është jashtëzakonisht e shëndetshme që të bëhemi bashkë pozitë-opozitë në mënyrë që të nxjerrim një rezultat pozitiv për Kosovën gjatë dialogut me Serbinë”.

“Për shkak të asaj që ka përfaqësuar LDK-ja në të kaluarën, do të ishte mirë që edhe këta të marrin pjesë në procesin e dialogut me Serbinë”.

“E kemi bërë të qartë se rrëzimin e Qeverisë nuk e shohim si rrezik. Nëse opozita i bënë votat, atëherë mund ta rrëzojë Qeverinë”.

“Mirëpo është me rëndësi që në një moment të rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë të bëhemi bashkë”.

“Ne kemi qëndrimet tona të cilat janë konfirmuar. Jemi pro ruajtjes së kufijve të 17 shkurtit, kundër heqjes së taksës si dhe pro dialogut me Serbinë pa kushte”.

“Ne jemi të gatshëm që të shkojmë në zgjedhje. Mirëpo tani nuk është momenti i duhur për këtë gjë”.

Kryeministri Haradinaj mendon se konsolidimi i brendshëm është prioritet për vendin. Prandaj ai duhet të fokusohet në punët e brendshme sepse dialogu me Serbinë e ka shpenzuar tërë energjinë tonë”.

“Zgjedhjet nuk janë një alternativë sepse nuk do të sjellin ndonjë ndryshim të madh”.