Kabashi-Ramaj: Kuvendi duhet të sigurohet që strategjia e sigurisë kombëtare do të bëhet siç duhet

Koordinatorja e Departamentit për Mbrojtje dhe Siguri Kombëtare në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë të PDK-së, Besa Kabashi Ramaj ka kërkuar që Strategjia e Sigurisë Kombëtare e miratuar nga Qeveria Kurti të jetë e qasshme publikisht përpara se të shkojë për miratim në Kuvend.

Lajme

07/07/2022 15:39

Përmes një postimi në Facebook, Kabashi Ramaj është shprehur se nëse ky dokument nuk është i hartuar mbi një vizion të qartë, ai thjesht jep një ndjenjë të rreme sigurie.

“Një strategji e sigurisë kombëtare e bërë siç duhet, në fakt rrit nivelin e sigurisë në vend. Nëse jo, atëherë ajo thjesht na jep një ndjenjë të rreme sigurie. Prandaj, strategjia aktuale e sigurisë kombëtare e miratuar nga qeveria duhet të jetë e qasshme publikisht përpara se të shkojë në kuvend, për të krijuar transparencë dhe për të na lejuar të shohim nëse ajo ka adresuar çështjet serioze/thelbësore dhe procedurale që kishte kur u publikua për konsultim publik.”

“Kuvendi duhet të sigurohet që ky dokument i rëndësisë strategjike, për të cilin ne kemi shumë nevojë, të bëhet siç duhet, përpara se ta miratojë.”