Ka edhe nga ata që i gëzohen shkarkimit të Rektorit

Përkundër reagimeve të mëdha pas shkarkimit të Ramadan Zejnullahut nga posti i rektorit të Universitetit të Prishtinës, që nga Presidentja e vendit e deri te shoqëria civile, ka dhe të atillë që e mirëpresin largimin e tij.

Lajme

21/10/2015 23:44

Janë veteranët e luftës së UÇK-së, të cilët muaj më parë protestuan për pranimin si student për fëmijët e veteranëve pas afateve të rregullta në Universitetin e Prishtinës.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari ka thënë se shoqatat e dala nga lufta e mirëpresin vendimin e shkarkimit të rektorit të UP-së, Ramadan Zejnullahu.

“Ne e mirëpresim këtë vendim për shkak të mosrespektimit të marrëveshjeve të mundshme për shkak të mosrespektimit të vlerave të luftës, dhe unë mendoj se shkarkimi i Rektorit është një vendim i drejtë dhe të zhbllokohen njëanshëm ato vendime të cilat rektori i ka marrë kryekëput në vete”, ka thënë Xhavit Jashari.

Kujtojmë që gjatë ditës së sotme Këshilli i Universitetit të Prishtinës më 6 vota pro shkarkoi rektorin e UP-së, Ramadan Zejnullahu.

Shkarkimi i tij nxiti reagime të shumta si pasojë e të cilave ministri i Arsimit, Arsim Bajrami shkarkoi nga pozita e kryetares së Këshillit drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj. Ndërkaq për nesër janë paralajmëruar protesta në mbështetje të rektorit Zejnullahu./ ORAinfo