Juventus vazhdon me fitore

Juventus ka vazhduar formën e shkëlqyer duke mposhtur si vendas skuadrën e Sampdorias, në një lojë ku golat kanë qenë të shumtë, 4:2. Ndeshja filloi me presion të jashtëzakonshëm të kampionit aktual të Italisë, gjë që rezultoi me gol në minutën e 18. Pogba e gjen të vetëm Kileanin Arturo Vidal, i cili nuk e…

Sport

18/01/2014 21:36

Juventus ka vazhduar formën e shkëlqyer duke mposhtur si vendas skuadrën e Sampdorias, në një lojë ku golat kanë qenë të shumtë, 4:2.

Ndeshja filloi me presion të jashtëzakonshëm të kampionit aktual të Italisë, gjë që rezultoi me gol në minutën e 18. Pogba e gjen të vetëm Kileanin Arturo Vidal, i cili nuk e kishte problem të shënonte.

Vetëm 6 minuta më pas erdhi goli i dytë i Juves, me Spanjollin Fernando Llorente, i cili shënoi me kokë pas goditjes nga këndi.

Nuk mungoi kundërpëgjigja e skuadrës mysafire. Pas një goditje të devijuar, Barzagli dërgoi topin në portën e vet, e rezultati shënonte 2-1.

Mirëpo, entuziazmi i skuadrës mysafire zgjati vetëm 3 minuta, pasi Vidal ekzekutoi penaltinë që e kishte fituar vet në mënyrë perfekte, duke vendosur rezultatin 3-1, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Edhe pjesa e dytë ishte mjaft interesante. Mysafirët shënuan me anë të Gabbiadinit, lojtar i cili është në bashkëpronësi të Juves, duke ngushtuar edhenjëherë epërsinë në 1 gol. Por, ishte Pogba ai i cili me një goditje nga distanca në minutën e 78 vulosi rezultatin përfundimtar 4-2, rezultat ky që vlejti deri në fund të ndeshjes, përkundër rasteve të shumta nga të dyja skuadrat.

Juventus vazhdon të kryesojë në Serie A me 55 pikë, 8 më shumë se përcjellësi i parë – Roma.