Ju tregoj si fitohet
Rufki Suma thotë se qytetarët nuk duhet të vihen nën presion të koalicioneve kur të dalin të votojnë në garën e balotazhit. E ka fjalën për komunat tjera, sepse votuesit e Hanit të Elezit janë të “privuar” nga balotazhi.

Lajme
Ka dalë dy herë në garë për të kërkuar votën e qytetarëve për kryetar të Komunës dhe të dy herat është shpallur fitues. Asnjëherë nuk e ka lënë fatin e tij të përcaktohet në balotazh dhe gjithmonë ka qenë Kandidat i Pavarur.
Rukfi Suma është zgjedhur përsëri kryetar në Komunën e Hanit të Elezit në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Dhe në ditët kur kolegët e tij nëpër komuna të tjera kanë ndezur motorët në kërkim të koalicioneve dhe kanë shpeshtuar takimet me elektoratin, Suma ka një porosi për ta: qytetarët nuk duhet vënë nën presion të koalicioneve.
Në një intervistë për Radio Kosovën, Rufki Suma thotë se puna e tij në mandatin parë i ka ndihmuar që ta fitojë mandatin e dytë, madje pa bërë fushatë. Duke bartur këtë përvojë, Suma thotë se nuk ka nevojë për shumë fushatë dhe për presion te qytetarët.
“Zakonisht ata kandidatë që nuk e kanë besimin e qytetarëve tani kërkojnë mbështetjen e subjekteve të ndryshme politike, në mënyrë që të bëhen kryetar. Unë mendoj që edhe kjo është pjesë e demokracisë ku subjektet politike mbështesin njëri tjetrin, megjithatë balotazhi tregon që asnjëri kandidatë nuk ka pas bësimin e shumicës së qytetarëve”.
Pavarësisht koalicioneve që po krijohen dhe që do të krijohen në ditët në vazhdim, mes subjekteve politike, kryetari i Hanit të Elezit, Rufki Suma, thotë se qytetarët duhet të shikojnë kandidatët e jo koalicionet.
“Për shkak se mund të ketë ndonjë parti që ndoshta programin e ka shumë të mirë por në fakt, në praktikë nuk veprojnë mirë. Unë kisha me i porositë qytetarët që ata të kujdesen dhe të votojnë për më të mirët, për shkak se për katër minuta që mund të gabojnë apo mund tu imponohet nga dikush tjetër ata duhet katër vite t’i durojnë ata që i kanë zgjedhur”.
Për kryetarin e Hanit të Elezit, Rufki Suma, zgjedhjet e këtij viti ishin më demokratike dhe të rregullta. Ai vlerëson se dënimi i shumë keqpërdoruesve të votave në zgjedhjet e kaluara ka dhënë efekt pozitiv në këto zgjedhje, së bashku edhe me angazhimin më të madh të policisë por edhe vetë subjekteve politike.