Joshua i kujdesshëm, refuzon ta nënvlerësojë Andy Ruiz

Kampioni Anthony Joshua ka refuzuar që ta nënvlerësojë kundërshtarin e tij të ardhshëm, Andy Ruiz JR.

Sport

20/05/2019 23:39

Më 1 qershor, në ‘Madison Square Garden’ të Nju Jorkut, Anthony Joshua do të zbres në ring për përballjen me Andy Ruiz JR.

Ky duel ishte paraparë që të zhvillohej kundër Jarrell Miller, por ky i fundit kishte rezultuar pozitiv në testet anti drogë.

Joshua duhej të gjente një tjetër kundërshtar dhe ai doli të jetë Ruiz, të cilin po e kritikojnë shumë, duke vënë në pikëpyetje kapacitetin e tij që t’i bëjë ballë Joshuas.

Por, kampioni britanik nuk mendon njësoj sikur shumica, duke thënë se duhet pasur kujdes të madh ndaj Ruiz.

“Nuk ka lidhje se si dukesh. Ka të bëjë me aftësitë dhe atë që ke në zemër. Në fund llogaritet edhe koka” ka thënë Joshua, raporton ‘DailyMail’, transmeton lajmi.net.

“Andy ka treguar se i ka të gjitha. Ai mund të luftojë në boks, kjo ka rëndësi. Mendoj se Andy është sfidues i jashtëzakonshëm dhe do ta shfaq në ring më 1 qershor” ka thënë tutje AJ.

Joshua kishte shpresuar që të aranzhonte një duel me Deontay Wilder apo Tyson Fury, të paktën sipas promotorit të tij, por një gjë e tillë nuk ishte e mundshme.

Shumica e negociatave ishin ndërprerë për shkak të pakënaqësive kur vinte puna tek ndarjet e fitimeve. /Lajmi.net/