Jo zgjedhjeve parlamentare në qershor

Adem Grabovci mendon se nuk duhet shkohet në zgjedhje në qershor sepse ai e sheh të domosdoshme përfundimin e reformës zgjedhore. Deklaratat e zyrtarëve të LDK’së për t’i mbajtur zgjedhjet në qeshor ai e quan si tentim manipulimi të vullnetit të qytetarëve.

Lajme

17/01/2014 07:59

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabovci ka kundërshtuar idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në qershor.

Sipas tij, partitë politike që kërkojnë të shkojnë në zgjedhje nacionale në qeshor, e që i bie që në këto zgjedhje të shkohet pa reformë zgjedhore, po kërkojnë të manipulojnë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës.

Në një intervistë për Epoka e Re, Grabovci ka thënë se PDK e sheh të domosdoshme që të kryhet reforma zgjedhore e më pas të shkohet në zgjedhje. Ai nuk është ithtar i mbajtjes së zgjedhjeve në qeshor të këtij viti.

“Interesi ynë duhet të jetë në përputhje të plotë me interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne si subjekt politik asnjëherë nuk kërkojmë atë që është e pamundshme”.

“Ne si parti politike e përkrahim dhe e shohim të domosdoshme reformën zgjedhore, për të cilën paraprakisht janë pajtuar të gjitha subjektet politike”.

“Duhet të përfundojë reforma zgjedhore, pastaj të kërkojmë dhe caktojmë datën e zgjedhjeve nacionale”.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së thotë se qëllimi është që të krijohet një sistem më i mirë zgjedhor që mbron votën, andaj ai thotë se zgjedhjet në qeshor, pa reformë zgjedhore nuk do të ishin në interes të qytetarëve.

“Jo, nuk është me interes të qytetarëve të Kosovës që zgjedhjet të mbahen në qeshor”.

“Sepse bie ndesh me deklaratat tona dhe përpjekjet tona për t’u ofruar qytetatarëve të Kosovës një sistem më të mirë dhe më të thjeshtë zgjedhor, në mënyrë që të pamundësohet manipulimi i vullnetit të qytetatarëve të Kosovës”.

Deklaratat e zyrtarëve të LDK’së të cilët kanë kërkuar që të shkohet në zgjedhje nacionale në muajin qeshor, Grabovci i quan si deklarata joserioze. Ai thotë se kushdo që do zgjedhje pa reformë, kërkon që të manipulojë me rezultatet.

Duke pasur parasysh kohën e cila është e nevojshme për zgjedhje, deklaratat e zyrtarëve të LDK’së është e paqëndrueshme dhe joserioze.

“Ata që veprojnë kundër janë dashakeqi dhe kanë tendenca për të manipuluar vullnetin e qytetarëve sepse nëse kërkojmë zgjedhje në qeshor, nënkuptohet duhet të shkojmë në zgjedhje pa reformë zgjedhore”.

“Kjo lë të nënkuptohet se ata që po kërkojnë zgjedhje në qeshor janë të interesuar t’i manipulojnë zgjedhjet sikurse i kanë manipuluar zgjedhjet lokale të vitit të kaluar”.

“Partitë që kërkojnë zgjedhje në qeshor nuk e kanë me gjithë mend”.