JO strukturës së re në AKI

Kryetari i Komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), Haxhi Shala, ka thënë se komisioni që e drejton nuk është informuar ende për dorëheqjen e shefit të kësaj agjencie Bashkim Smakaj, gjë që ka ndodhur dy javë më parë.

Lajme

30/01/2015 12:29

Në mbledhjen e mbajtur të premten, Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së ka ftuar zëvendës/drejtorin e kësaj agjencia për të raportuar javën që vjen rreth zhvillimeve të fundit që kanë të bëjnë me dorëheqjen e Smakajt dhe me migrimin ilegal të kosovarëve.

Shala po ashtu ka thënë se nuk është në dijeni rreth përfoljeve në media që kanë të bëjnë me kushtëzimin që ministri për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviq do të mund të largohet vetëm nëse pranohet propozimi i Serbisë për emërimin e zëvendës/drejtorit të AKI-së nga nacionaliteti serb.

Ai ka thënë se nuk është kundër që në një të ardhme zëvendës/shef i AKI-së të jetë një serb i Kosovës, por është kundër që ajo të ndodhë në këtë kohë, dhe është kundër ndërhyrjes së Serbisë në punët e brendshme të Kosovës në cilëndo kohë.  

“Nuk e di që ka marrëveshje të subjekteve politike që zëvendësdrejtori  i AKI-së të jetë i minoritetit serb, por nëse ka, besoj që është një marrëveshje shumë e gabueshme në këtë kohë”, ka thënë Shala.

Edhe anëtari i këtij komisioni, Rrustem Berisha, ka thënë se nuk ka ndonjë informatë zyrtare që do të ketë ndryshime në strukturën e AKI-së.

“Ne kemi ftuar zëvendësdrejtorin e AKI-së për në takim të premten e ardhshme dhe sigurisht se njëra prej këtyre çështje që do të diskutohet do të jetë edhe kjo. Nuk mendoj se zëvendës/drejtor i AKI-së mund të jetë një serb, mund të jetë diku tjetër, por jo aty”, ka thënë Berisha.