Jo Shqipëria, por Serbia zhvilloi luftëra për krijimin e Serbisë së madhe

Instituti ndërkombëtar për studimet në Ballkan dhe Lindjen e Mesme, IFIMES, me seli në Lubjanë të Sllovenisë, publikoi një analizë për marrëdhëniet e vështira mes shqiptarëve dhe serbëve, të rishfaqura me ndeshjen e 14 tetorit. Incidenti me dronin në stadium nxori në pah realitetin e marrëdhënieve mes dy kombeve dhe shteteve.

Lajme

04/11/2014 22:26

Ndërprerja e ndeshjes Shqipëri – Serbi ilustron gjithë kompleksitetin e marrëdhënieve në Ballkanin Perëndimor, duke vënë në pyetje gjithçka që është bërë për të normalizuar këto raporte.

Po çfarë duhet bërë për t’i stabilizuar këto marrëdhënie dhe paqen në rajon?

Për fat të keq, asnjë zhvillim nuk është arritur përgjatë viteve të qeverisjes së Sali Berishës dhe Boris Tadiq. Berisha kishte frikë nga “shqiptarët e tij” e po kështu Tadiq iu druhej “serbëve të tij”.

Por, të dy kishin një të përbashkët: Të dy i drejtuan vendet respektive duke lejuar sistemin e krimit dhe korrupsionit, të penetronte në të gjitha fushat e jetës sociale dhe politike. Nëse Zoran Xhinxhiq do të ishte ende gjallë, këto raporte do të ishin shumë të ndryshme, jo vetëm për sa i takon Shqipërisë, por edhe në respekt të shqiptarëve në Kosovë.

Pak muaj para zgjedhjeve, Sali Berisha përdori kartën nacionaliste, bazuar në idenë e krijimit të Shqipërisë së Madhe, gjë që krijoi reagime te fqinjët ballkanikë, sidomos tek ata ku jetojnë shumë shqiptarë etnikë.

Rama dhe Vuçiq i fituan zgjedhjet parlamentare me një shumicë të madhe, Rama në qershor 2013 dhe Vuçiq në mars 2014.

SHBA dhe BE, veçanërisht Gjermania, e pa këtë fitore në Shqipëri dhe Serbi si pikë kthese drejt një bashkëpunimi më të madh rajonal.

E megjithatë, edhe Shqipëria edhe Serbia mbeten të dominuara nga aparati i fortë shtetëror i trashëguar nga partitë paraardhëse.

Për krijimin e qeverisë u bë edhe kompromisi me LSI-në , stafi i së cilës ishte pika kyçe e korrupsionit në sektorin e energjisë, por që u bë partner në koalicion me Ramën.

Në fund të gushtit 2014, kancelarja gjermane Merkel priti ne Berlin krerët e shteteve dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor, në një konferencë për bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor.

Ideja e konferencës ishte që të ndryshonte situata nga ajo që njëra palë ishte kundër tjetrës, në atë që të gjithë të punonin bashkë.

Megjithatë sinjalet e para të jo tolerancës u shfaqën mes kryeministri serb dhe atij shqiptar tre ditë para konferencës së Berlinit.

Kancelarja Merkel informoi se vetëm ajo dhe kryeministri shqiptar Rama do të flisnin në konferencën për shtyp në fund të aktivitetit. Qeveria serbe reagoi, duke u shprehur se nuk ishte dakord që Rama të ishte përfaqësues i Ballkanit Perëndimor.

Rëndësia që Merkel i dha Edi Ramës ishte një sinjal i fortë dhe i qartë se Berlini kërkon të hapë një kapitull të ri në raport me Tiranën.

Pas incidentit të ndeshjes, në skenë hyri serish kancelarja gjermane, e cila u përpoq të zgjidhë tensionin mes Ramës e Vuçiqit larg syve të publikut.

Rama konfirmoi se pas ndërhyrjes së Merkelit, ai dhe Vuçiq nuk kishin më probleme të komunikonin dhe vizita u shty për 10 nëntor.

Koha do të tregojë nëse investimi gjerman do të jetë i vlefshëm apo një tjetër zhgënjim nga liderët  ballkanikë.

Por ndarjet janë prezente. Pas incidentit, kryeministri serb i telefonoi zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, duke i kërkuar nëse ishte me “Shqipërinë e madhe” apo “Serbinë normale”?

Kryeministri shqiptar reagoi fort dhe direkt ndaj qëndrimit të Vuçiqit, duke thënë se “Serbia normale do të jetë një realitet vetëm kur Serbia reale të kuptojë se Shqipëria e madhe është obsesioni i tyre dhe jo projekti ynë”.

Në fakt kjo është e vërtetë. Shqipëria e madhe nuk ka qenë kurrë projekt i shtetit shqiptar, por një produkt serb i përdorur si mbulesë për ambicien e tyre të Serbisë së madhe.

Një pjesë e madhe e shqiptarëve jetojnë jashtë kufirit administrativ, më së shumti në Maqedoni, Mal të Zi, Serbinë e jugut dhe Kosovë.

Megjithatë, Shqipëria, në të kundërt nga Serbia, asnjëherë nuk luftoi me këto shtete për të kthyer kufirin etnik, që kishte para vitit 1913.

Nga ana tjetër, lideri serb Sllobodan Milosheviq bëri luftë me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën për të krijuar Serbinë e madhe dhe për të mbledhur serbët në një shtet të vetëm.