Jevtiq: Pa Asociacionin e Komunave Serbe, ne nuk hyjmë në qeveri

Ministri për Kthim dhe Komunitete në largim, Dalibor Jevtiq, ka thënë se para pjesëmarrjes së serbëve në qeverinë e re të Kosovës, duhet diskutuar për disa çështje, që sipas tij, janë të rëndësishme për këtë komunitet. 

Lajme

29/11/2014 12:28

Njëra nga këto pika që duhet diskutuara, sipas Jevtiqit, është edhe çështja e Asociacionit të Komunave Serbe dhe mbrojtja e pronave të serbëve në Kosovë.

Jevtiq ka thënë për mediat serbe se tashmë është caktuar 8 dhjetori si dita kur do të bëhet konstituimi i Kuvendit, por se, sipas tij, askush nuk ka biseduar me serbët për pjesëmarrje në qeverinë e ardhme të Kosovës.

“Për sa kohë që grupet punuese të dy partive që kanë bërë koalicion, PDK-së dhe LDK-së nuk pajtohen për mënyrën e tyre të bashkëpunimit, ne nuk jemi në gjendje të bisedojmë me ata. Unë pres që, pas kësaj përfaqësuesit e Listës Serbe të jenë në gjendje të bisedojnë me këto dy parti rreth kërkesave dhe pjesëmarrjes sonë në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë ai, transmeton lajmi.net.

Sipas Jevtiqit, çështjet  më me rëndësi për t’u diskutuar me këtë koalicion janë çështja e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, kthimi personave të shpërngulur, mbrojtja e pronave të serbëve dhe Kishës Ortodokse, formimi i komunave të reja dhe çështje tjera.