Jevtiq: Formimi i Asociacionit të komunave serbe do të votohet në Parlamentin e Kosovës
Për Asociacionin e Komunave Serb do të votohet në Parlamentin e Kosovës dhe prandaj nuk e dimë datën e formimit të tij, ka thënë për gazetën serbe të Frankfurtit “Vesti” ministri i Kthimit dhe Komuniteteve në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq.

Lajme
“Nuk mundemi në këtë moment të flasim për data, sepse bëhet fjalë për procese që nënkuptojnë edhe procedurën kuvendore për shkak të nevojës për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës. Por, me rëndësi është se procesi më në fund do të nisë”, ka thënë Jevtiq.
Lidhur me çështjen e të zhvendosurve dhe garancitë siguruese, Jevtiq, siç transmeton KosovaPress-i, ka thënë se nevojitet një qasje e re. Në periudhën e kaluar, sipas fjalëve të tij, ka munguar përkrahja e institucioneve tjera të Kosovës.
“Ministria e Kthimit dhe Komuniteteve nuk ka mundur vetë të merret me të gjitha problemet, sepse puna jonë nuk ishte siguria apo diçka tjetër që ndikon në kthimin, siç është kthimi i pronës së uzurpuar. Me rëndësi është formimi i grupit ndërministror që do të mundësojë që të rrisim efikasitetin dhe të ndajmë përgjegjësinë. Do t’ia dorëzojmë kryeministrit Mustafa dhe presim që së shpejti të miratohet formimi i këtij trupi”, ka thënë ministri kosovar.
KosovaPress