Jevtiq dhe Mariq: Dekreti për themelimin e Asociacionit, kusht për kthimin e serbëve në institucione

Ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës, Lubomir Mariq dhe Dalibor Jevtiq kanë thënë se do t’u kthehen institucioneve nëse kthimi i tyre paraprihet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lajme

20/11/2016 15:56

Sipas agjencisë serbe Tanjug, ministri Mariq ka thënë se Lista Serbe gjithmonë ka insistuar në zbatim të marrëveshjeve të Brukselit.

“E rëndësishme për ne është vazhdimi i zbatueshmërisë së marrëveshjes për AKS. Këtë ia kemi bërë me dije edhe zyrtarëve ndërkombëtarë. Kështu që presim që Qeveria e Kosovës ta vë në rend dite shpejt miratimin e vendimit dhe dekretin e parimeve për themelim”, theksoi Mariq, ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq ka thënë se kthimi i serbëve në institucione do të bëhet pasi të vjen vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelim të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë muajin e kaluar kanë vendosur të ngrijë pozicionin e saj në Parlamentin dhe Qeverinë e Kosovës, për shkak të miratimit të Ligjit përTrepçën, duke vlerësuar këtë hap drejt mbrojtjes së interesave dhe pronës serbe në Kosovë.