​Jetësohet në bronz Tony Blair në Ferizaj

Në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, gjatë kohës së luftës në vendin tonë 1998-99, Tony Blair. Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës. Ai tha se…

Lajme

12/06/2024 18:03

Në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, sot në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, gjatë kohës së luftës në vendin tonë 1998-99, Tony Blair.

Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.

Ai tha se para 25 vjetësh, Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.

Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.

“Kjo datë me historinë që bartë mbi supe, me gjakun që lau vatrat tona, me lavdinë që i mbetet krenare epokave është rrënjë ku rilindi Kosova. Kosova nuk u çlirua pa gjak e pa sakrifica, pa lot dhembjesh, pa dëshmorët e martirët e saj që me tytën e pushkës, lapsin e dijes, me zërin e së vërtetës e luftën për çlirim i qëndisën lirinë trupit e mendjes së Kosovës. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është bekimi i secilit shqiptar. Pushka e saj, lavdia që rrethonte në çdo betejë e në çdo anë, ajo që shpejtoi e bëri vendimtare hapin e historisë drejtë lirisë së Kosovës. Ishte ajo që i dha kumtin dhe zgjoi botën mbarë për luftën për luftën për çlirim të popullit që për shekuj luftoi për lirinë”, tha Aliu.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.

Derisa citoi ish kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 viteve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.

“Sot ne kujtojmë se Tony Blair por edhe forcat britanike që ishin pjesë e forcave të KFOR-it, por siç tha zoti Blair në kuvendin e Kosovës të hënën ‘askush nuk do të mund të ndihmonte pafuqinë e vetë popullit të Kosovës’. 25 vjet më vonë, Kosova është tani një shtet i pavarur dhe multietnik në rrugën euroatlantike dhe siç më kanë thënë zoti Blair dhe shumë nga vizitorët tjerë britanikë këtë javë ‘Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në një përudhë kaq të shkurtër kohore. Mbretëria e Bashkuar mbetet e vendosur të mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë dhe për t’iu siguruar që të rinjtë të vazhdojnë të shohin të ardhmen e tyre këtu”, theksoi Hargreaves.

Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.

Kryetari Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Sot vërtetë është një ditë nderi, është një ditë respekti, mirënjohjeje e në mënyrë të veçantë, sot këtu në Ferizaj ku po nderojmë një mik të vërtetë të popullit tonë. Një personalitet të cilin vërtetë mund ta quajmë një hero të Kosovës, i cili edhe në takimet e më hershme që kemi pasur por edhe para dy ditësh kur kisha nderin ta ritakoj, vërtetë edhe në rrëfimet e tij personale tregon se ka qenë i mishëruar me vuajtjet tona si popull dhe ka qenë një mbështetës i sinqertë i kauzës për lirinë e popullit tonë. Ka qenë ndër të parët që ka dëgjuar thirrjen tonë për ndihmë, për ta mbështetur, për t’i dalë zot Kosovës…Në orët më të errëta të Kosovës, e të popullit tonë, kryeministri Blair u sigurua që të ishte aty për ne. Tregoi guxim, dhembshuri por tregoi edhe përkushtim ndaj lirisë dhe demokracisë”, tha Krasniqi.

Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku tha se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit.

Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.

“Çdo ditë e sidomos në çdo festë kur kemi gëzim ne duhet t’i kujtojmë, t’i nderojmë, t’i falënderojmë të gjithë ata mbi gjakun, sakrificën, mundin e tyre u ngrit Kosova u ngrit liria. Ferizaj sot po feston ndryshe. Ferizaj kësaj feste, kësaj dite, po i jep nja vlerë të shtuar. Ferizaj sot po e zbulon shtatoren e një miku të madh të Kosovës, shtatorin e një heroi të vërtetë të lirisë sonë, ish kryeministrit, Tony Blair. Kjo shtatore reflekton vetëm një mesazh dhe ai mesazh është ‘faleminderit Tony Blair’. Kontributi juaj, vendosmëria juaj, ishin vendimtare jo vetëm për fillimin e sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe por edhe për përfundimin e luftës”, potencoi Çeku.

Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.

Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falënderues për kontributin e tij.

Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori, Agon Qosa, e cila u vendos në sheshin që mban emrin e tij, dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”.