“Jep dorëheqje”, “Spekulant, mashtrues”: Përplasen ashpër Tahiri e Murati në Kuvend

Përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës janë zhvilluar mes Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Lajme

19/05/2022 17:19

Kjo pasi që Tahiri “vuri bast” që nëse janë mbledhur më shumë se 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë, ai do të jap dorëheqje nga posti i deputetit.

Këtë, Tahiri e bëri në kuadër të kritikave se pse Qeveria e ka klasifikuar si konfidencial Fondin e Sigurisë, shkruan lajmi.net.

E ndaj këtyre pretendimeve u përgjigj ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili i bëri thirrje Tahirit të jap dorëheqje e ta mbaj premtimin, mirëpo pa treguar shumën e Fondit të Sigurisë, duke “i premtuar” Tahirit se shifrën do t’ia tregojë privatisht.

“Të ftoj qysh sot me dhanë dorëheqjen. Ju ftoj që të jepni dorëheqjen që sot. Dorëzojeni dorëheqjen së pari”, tha Murati.

E ndaj kësaj u përgjigj Tahiri, i cili e quajti Muratin “spekulant e manipulues”.

“Ministër, Republika e Kosovës që prej Themelimit të saj, s’ka pas ministër spekulant e manipulues më të madh se ti. Edhe me buxhet bën politikë, sulmon deputetë, nuk ngritet zani ashtu. Ti si një ministër, është dashtë me kanë shembull, me e dhanë pagën e parë”, tha Tahiri.

“Ti e ke pas përkrahjen e të gjithëve, por vet je kundër Fondit. Dil sot e thuaj që janë 2 milionë e 100 mijë euro, por s’janë, e di sa janë në Bankë Qendrore”, tha tutje Tahiri./Lajmi.net/