Jep dorëheqje prodekani Ahmetaj, u shantazhua dhe u fye nga gruaja e rektorit

Ka dhënë dorëheqje nga pozita e prodekanit për mësim Prof. Dr Halil Ahmetaj. Ai ka thënë se këtë vendim e ka marrë pasi është shantazhuar nga shefja e Shërbimit të studentëve, Suzana Zejnullahu, e cila njëherësh është bashkëshortja e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Lajme

12/11/2014 17:06

Një shënim zyrtar ai i ka nisur të gjithë profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, një kopje të të cilës e ka siguruar Koha.net. Ai ka thënë gjithashtu, se është ndjerë i poshtëruar nga znj. Zejnullahu para studentëve, asistentëve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër të Fakultetit të Mjekësisë, raporton kohanet.

Më poshtë mund të lexoni shënimin zyrtarë të Halil Ahmetaj:

Në kërkesë të Dekanit të FM-së dhe në përputhje me detyrat e prodekanit për mësim më 3 nëntor 2014, me ndihmën e referentëve përkatës i kam mbledhur listat e studentëve të regjistruar sipas drejtimeve dhe viteve. Grupet e studentëve i kam sistemua dhe dërgua në adresë elektronike të shefave të katedrave në mbrëmje vonë të të njëjtës ditë. Në mëngjes të ditës së nesërme, datë 4 nëntor, të njëjtat lista (lista të grupeve) me ndihmën e zyrtares së lartë për mësim (Z. Fatime) janë shpallur në tabelat e shpalljeve.

Për çudinë time të nesërmen në mëngjes, datë 5 nëntor 2014, vërej se listat e shpallura janë larguar nga tabelat e shpalljeve pa lejen dhe pa njohurinë time paraprake. Shqetësimet e mia ia parashtrova Dekanit i cili thirri një takim urgjent të prodekajve, sekretarit dhe shefit të shërbimit të studentëve. Unë e shpreha pakënaqësinë time nëpërmjet shtrimit të pyetjes “Përse ka nevojë dhe nga i vjen dëshira Shefes së Shërbimit të Studentëve, znj. Suzana Zejnullahu, që ta poshtërojë para studentëve, asistentëve, mësimdhënësve dhe personelit tjetër të Fakultetit të Mjekësisë, Prodekanin për mësim të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr Halil Ahmetaj, duke i larguar listat e shpallura të studentëve, të domosdoshme për mbarëvajtjen e mësimit”. Shefja e shërbimit të studentëve krejt çka u përgjigj në lidhje me këtë ishte se ka pasur gabime në lista dhe se Prodekani për mësim nuk është kompetent për lista dhe grupe të studentëve. Edhe pas informimit të Dekanit ajo vazhdoi të mbajë të njëjtin qëndrim.

Për të më shantazhuar merret si pretekst lejimi i së drejtës për të shfrytëzuar mundësinë e apelit të II-të, (i lejuar nga Senati i UP-së), të studentes E. Ç., e cila duke e pastruar – likuiduar vitin e dytë e kishte mbërri kushtin për provimet e vitit të III-të. Ajo të vetmen mundësi e kishte pasur lëndën e Imunologjisë e cila është mbajtur më 7 tetor 2014.

Praktikën e lejimit të paraqitjes së provimeve me vonesë për ta shfrytëzuar apelin e II-të e kemi zbatuar edhe në raste tjera në marrëveshje me Dekanin dhe duke iu referuar Rregullores së Studimeve Themelore.

Ditët në vazhdim kishte shantazhime dhe kërcënime për shkarkim nga ana e Rektorit të UP-së i cili nën ndikimin e Shefes së Shërbimit të Studentëve, e cila është bashkëshorte e tij, sipas fjalëve të Dekanit, Prof. Dr Salih Ahmeti, kishte kërkuar të jap dorëheqje, nën pretekstin se kisha bërë shkelje të detyrave.

Unë deklaroj në përgjegjësi të plotë se: mbështetur në rregulloren e Studimeve Themelore neni 17. e ndërlidhur me nenin 22, paragrafi 3, të gjitha veprimet e mia në rastin konkret janë marrë konform rregullores. Prandaj nuk kam bërë asnjë shkelje detyrash, përkundrazi kam punuar pa u lodhur dhe pa u kursyer në të mirë të mbarëvajtjes së procesit mësimor. Nuk ndjehem me faj dhe nuk më shkon ndërmend të jap dorëheqje.

Prodekani për mësim

Prof. Dr Halil Ahmetaj