“Jemi të shqetësuar” – Ndërkombëtarët kërkojnë konstituim sa më të shpejtë të Kuvendit, partive politike “nuk po iu bëhet vonë”

Zgjedhjet janë mbajtur, rezultatet janë certifikuar, deputetët janë betuar- por konstituimi i Kuvendit të Kosovës duket se ka hyrë në një “rrugë pa krye”. Tash e plot tre muaj nga dita e zgjedhjeve, një muaj e gjysmë nga certifikimi i rezultateve e plot një muaj nga dita kur është mbajtur seanca e parë konstituive e…

Lajme

14/05/2025 20:16

Zgjedhjet janë mbajtur, rezultatet janë certifikuar, deputetët janë betuar- por konstituimi i Kuvendit të Kosovës duket se ka hyrë në një “rrugë pa krye”.

Tash e plot tre muaj nga dita e zgjedhjeve, një muaj e gjysmë nga certifikimi i rezultateve e plot një muaj nga dita kur është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, kryekuvendari/ja ende nuk është ulur në karrigen e saj për të udhëhequr seancat, por Kuvendi po udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i kësaj legjislature, Avni Dehari që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, i ndihmuar nga deputetja më e re e Kuvendit, Sala Jashari që vjen nga PDK.

Por, pse po ndodh kjo?

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, partia e cila ka dal e para në zgjedhje, e në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, ka të drejtë të propozoj kandidatin/en për kryetar/e të Kuvendit, e më pas i duhet të ketë së paku 61 vota për t’u emëruar kandidati i propozuar në këtë pozitë. Por, këto vota po mungojnë,

Kësisoj, Vetëvendosje pas betimit të deputetëve nisi me propozimin e emrit të Albulena Haxhiut , të cilin edhe nuk e ndryshoi më. VV e propozon në vazhdimësi Albulena Haxhiun e cila nuk po i merr më shumë se 57 vota, prandaj edhe emërimi i saj nuk po ndodh.

Partia e dytë nga rezultatet e zgjedhjeve (PDK), e treta (LDK) dhe e katërta (AAK) si dhe disa nga minoritetet nuk po e votojnë Haxhiun, pasi sipas partive opozitare Haxhiu është “figurë përçarëse”, ndërkaq Kuvendin e Kosovës sipas tyre duhet ta udhëheq një “figurë unifikuese”.

Memli Krasniqi nga PDK ka deklaruar se Albulena Haxhiu asnjëherë nuk do t’i ketë votat e tyre, shkruan lajmi.net.

Por, a ka Lëvizja Vetëvendosje një figurë të tillë ‘unifikuese’? 

AAK e para, e pastaj edhe dy partitë e tjera opozitare, i kanë propozuar dy emra si kandidate për kryekuvendare, të cilat sipas tyre do t’i votonin, por kjo nuk po merret parasysh nga Lëvizja Vetëvendosje.

Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi Rexhepi, sipas Ramush Haradinajt do t’i siguronin votat e partisë së tij, e biles ai ka thënë se ia ka borxh votën mikut të tij Rexhep Selimit, bashkëshortit të Shqipe Selimit.

Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se këto dy kandidate do t’i votonin, por LVV nuk po heq dorë nga kandidatja e tyre e parë që e kanë propozuar.

Kundër këtyre dy propozimeve ka dal edhe vetë Saranda Bogujevci, ish nënkryetarja e legjislaturës së fundit, e cila ka thënë se “nuk mund të iu tregoj askush se kush duhet të jetë zot shtëpie, kur me votë e ka vendosur populli”

“Ky diskursi i viktimës të së kaluarës sonë të dhimbshme, kur herë të portretizojnë se po të shfrytëzojnë të tjerët e tash këta duan të mendojnë me gjynah për pozicion. Nuk jeni ju ata që na tregoni se kush duhet me qenë zot i shtëpisë më të rëndësishme të Republikës së Kosovës kur me votë e ka vendosë populli. Ne e kemi propozimin tonë dhe atë do ta mbështesim”, pati shkruar Bogujevci ditë më parë në Facebook.

Shqipe Selimi-Rexhepi, nuk është deklaruar pasi është propozuar emri i saj nga opozita për kryekuvendare, por ajo në disa postime në Facebook, e ka mbështetur Albulena Haxhiun në “garën” që ka nisur.

Çfarë ndodhi në 15 seancat e mbajtura të Kuvendit të Kosovës? 

Seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, dështoi pasi deputetët nga opozita votuan kundër verifikimit të mandateve në raportin e komisionit të përkohshëm për këtë.

Opozita tha se votoi kundër verifikimit të mandateve pasi Albin Kurti dhe kabineti i tij nuk ishin dorëhequr nga detyrat ministrore siç përcakton kushtetuta kur ata zgjidhen deputetë.

48 orë pas seancës së 15 prillit, saktësisht me 17 prill, në hapje të seancës kryesuesi Avni Dehari, i ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime. Këtë veprim, Dehari e arsyetoi me nevojën për të shmangur “shkelje procedurale, ligjore dhe kushtetuese”. Pas konsultimeve, ai njoftoi se nuk ishte arritur konsensus mes subjekteve politike dhe se seanca do të vazhdonte pas 48 orësh në ora 12:00.

“E treta e vërteta” – në seancën e tretë të konstituimit të Kuvendit u votua verifikimi i mandateve, me ç’rast pas saj u betuan edhe deputetët e rinj të zgjedhur të Kuvendit të Kosovës.

Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, secili deputet e lexoi tekstin e betimit:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”

Por, edhe pas betimit, deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk po e kryejnë “detyrën” e tyre për konstituimin e Kuvendit.

Në këtë seancë u vendos në votim emri i Albulena Haxhiut për kryekuvendare, por ajo mori vetëm 57 vota.

Në seancën pasuese, të 21 prillit, LVV “e ndërpreu” pothuajse menjëherë seancën, duke kërkuar kohë për të arritur marrëveshje politike për emërimin e kandidates së saj, Albulena Haxhiu, si kryetare të Kuvendit

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, tha se partia nuk e sheh të arsyeshme që në këtë seancë ta propozojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, pasi partitë e tjera parlamentare nuk pranojnë ta votojnë atë.

“Meqenëse e kemi pa që të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë edhe në këtë seancë, mendoj që kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept duhet ta kishte edhe kryetari i Kuvendit”, tha Konjufca.

Seanca e pestë konstituive u mbajt me 23 prill, pas një konsultimi mes partive politike, por rezultati ishte i njëjtë, Kuvendi mbeti pa kryetare të Kuvendit.

E gjashta, e shtata, e teta dhe e nënta nga 15 seancat konstituive të Kuvendit të Kosovës shkoi njëjtë, Albulena Haxhiu nuk i mori dot 61 vota.

Rrjedha e seancave ndryshoi kur kryesuesi i seancës, Avni Dehari propozoi votimin e një komisioni për votim të fshehtë.

Që nga seanca e 10-të e deri te e 15-ta që u mbajt dje (e martë), opozita nuk ka votuar fare për këtë komision, me ç’rast, seanca ndërpritej brenda pak minutave.

Çfarë thonë ndërkombëtarët për ‘ngërçin politik’ të krijuar në Kuvend? 

Bllokimi i cili i është bërë Kuvendit të Kosovës tash e një muaj, po thuhet se mund t’i paraqes probleme Kosovës edhe në lidhje me hapat e saj në rrugëtimin për anëtarësim në BE.

BE, Ambasada e Gjermanisë dhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, janë shprehur të shqetësuar dhe kanë kërkuar sa më parë formimin e institucioneve në vend.

Bashkimi Evropian në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se po i ndjekin nga afër zhvillimet dhe mbeten me shpresë që procesi i konstituimit të Kuvendit do të përfundoj së shpejti.

“Formimi i shpejtë i qeverisë është thelbësor që Kosova të përparojë përmes reformave të rëndësishme në të gjithë sektorët që do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe standardet e jetesës së popullit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjithashtu u tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm për bashkëpunim me qeverinë e re.

“BE-ja është e gatshme të punojë ngushtë me qeverinë e ardhshme, sapo të formohet, dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, kanë thënë nga BE për lajmi.net.

Ambasada gjermane në Kosovë, ka thënë për lajmi.net se kjo vonesë e shkaktuar e konstituimit të Kuvendit është shqetësim në rritje. Sipas ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, qytetarët e meritojnë sa më shpejtë të formohet Qeveria.

“Ambasadori gjerman vazhdimisht e ka përcjellë mendimin e tij për situatën aktuale. Vonesa e konstituimit të Kuvendit dhe formimi i një qeverie të qëndrueshme që të jetë në gjendje të marrë vendime, është një shqetësim në rritje. Këtë e ka thënë edhe një herë zëvendës shefi i misionit gjerman, Matthias Conrad, në takimin e tij me kryeministrin në detyrë Kurti, së bashku me anëtarët e tjerë të Quint. Qytetarët meritojnë politikanë që e kanë prioritet vendin dhe mirëqenien e tyre mbi politikën partiake. Por, ajo që ne më së shumti shohim është sjellje penguese dhe vonesa. Këto shqetësime, ambasadori dy javë më parë i ka ndarë edhe me presidenten Osmani. Shumë detyra të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare janë duke pritur”, ka thënë ambasada gjermane në një përgjigje për lajmi.net.

Ndërkombëtarët dhe shtetet e QUINT-it e kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe dje (e hënë) në takimin që kanë mbajtur me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Secili prej përfaqësuesve të këtyre ambasadave, i ka bërë me dije Albin Kurtit se Kosova duhet të ketë sa më parë institucionet e formuara.

Në lidhje me situatën e krijuar tashmë në Kuvend, për lajmi.net është deklaruar edhe Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili ka thënë se Kosova ka nevoje urgjente për Kuvend dhe Qeveri funksionale.

Hargreaves ka thënë se udhëheqësit politik duhet të punojnë së bashku për interesa kombëtare.

“Më shumë se tre muaj pasi populli i Kosovës votoi në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një qeveri funksionale. Populli ka të drejtë të presë që udhëheqësit e tyre politikë të punojnë së bashku për interes kombëtar”, ka thënë Hargreaves për lajmi.net.

Ambasadorët e shteteve të QUINT-it, ia kanë shprehur shqetësimin e tyre edhe kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit duke thënë se Kosova duhet të formojë “sa më parë Kuvendin dhe Qeverinë”.

A mund të formohet Kuvendi në ditët e ardhshme? 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim për konsultime krerët e partive politike.

Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina ka thënë për lajmi.net se të gjitha partitë politike i janë përgjigjur pozitivisht ftesës, ndonëse nga Lëvizja Vetëvendosje nuk janë deklaruar për media në lidhje me këtë.

Takimi me Osmanin do të mbahet nesër (e enjte) dhe pritet të sjell rezultat pozitiv, duke ndihmuar partitë politike të zbusin “inatet politike” mes tyre, me qëllim formimin e institucioneve.

Seanca e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, do të mbahet nesër, të enjten, dhe do të filloj nga ora 10:30. Aty përsëri në rend dite do të jetë votimi i komisionit për votim të fshehtë, dhe nëse kalon kjo pikë do të votohet për kryekuvendaren, kandidate e cila mund të jetë Albulena Haxhiu apo dikush tjetër i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. /Lajmi.net/