Jemi mbi 95 për qind musliman!

Është e vërtetë e pamohueshme se Kosova përbëhet në shumicë absolute nga pjesëtarë të besimit Islam, dhe këtë askush nuk e vë në dyshim dhe në diskutim. Edhe në rrafshin kombëtar, shqiptarët, në përqindje, po ashtu janë më shumë të cilët i takojë besimit Islam. Mirëpo, nga kjo deklaratë herëpashershme si kjo, a thua vallë kujt dëshirohet ti drejtohet dhe ti rikujtohet, se në jemi 95% muslimanë ?!

Opinion

25/07/2020 16:13

Nga: Xhabir Hamiti

Gjatë këtyre viteve të fundit, më ka rastisur të lexojë dhe të dëgjojë shumë herë një slogan të tillë si ky, i nxjerr dhe i deklaruar jo rrallëherë nga një pjesë e zyrtarëve vendor, nga prijës fetar të Islamit, e njashtu edhe nga një pjesë e besimtarëve të rëndomtë, duke debatuar rreth tij përmes rrjeteve të ndryshme sociale. Një frazë e tillë, është përdorur dhe po vazhdon të përdoret kohë pas kohe edhe sot, ashtu, siç thuhet e mendohet nga përdoruesit e saj, gjëja si një kundërpërgjigje ndaj “islamofobëve”, të cilët po e luftojnë Islamin dhe besimtarët mysliman në Kosovë dhe më gjerë!.
Por, a ka vërtetë elemente të “Islamofobisë” në shoqërinë tonë? Përgjigja, ka ! A janë dominues? Jo! A ka elemente të “Krishterfobisë” në shoqërinë tonë? Përgjigjja, ka! A janë dominues? Jo!
Pra, në të dy anët ka individ dhe grupe emocionale, të verbra dhe fanatike, të cilat në emër edhe të ndonjë agjende të huaj fetare, mundohen që të brejnë dhe rrezikojnë unitetin tonë kombëtar, duke keqpërdorur dhe vënë në shërbim bindjet e caktuara fetare. Megjithatë, dhe fatmirësisht, ata vazhdojnë të ngelin një pakicë minimale nga mesi ynë, të cilët mund të jenë shkëputur nga pjesa e komuniteteve fetare shqiptare me shumica absolute normale.

Një gjë e cila dihet dhe është fakt, e cila shihet dhe preket, nuk ka nevojë të thuhet e të përsëritet vazhdimisht, sepse atë e dinë, e shohin dhe e kuptojnë të gjithë. Përsëritja e vazhdueshme për një të vërtetë konkrete, kalon në refren bajat dhe tendencioz. Janë statistikat demografike ato të cilët për çdo vend të botës sot tregojnë, se kush janë përbërësit e tij, dhe cila është gjuha, etnia dhe religjioni i tyre.
Është e vërtetë e pamohueshme se Kosova përbëhet në shumicë absolute nga pjesëtarë të besimit Islam, dhe këtë askush nuk e vë në dyshim dhe në diskutim. Edhe në rrafshin kombëtar, shqiptarët, në përqindje, po ashtu janë më shumë të cilët i takojë besimit Islam.
Mirëpo, nga kjo deklaratë herëpashershme si kjo, a thua vallë kujt dëshirohet ti drejtohet dhe ti rikujtohet, se në jemi 95% muslimanë ?! A thua se bota nuk e di këtë realitet? A nuk e dinë kancelaritë evropiane dhe euro-atlantike për një përbërje të tillë, apo duhet që herë pas here tu rikujtohet atyre nga ana e jonë, sepse mos ndoshta e kanë harruar, por edhe që mos mund ta harrojnë këtë në të ardhmen!

A mos edhe mëtohet që, përmes këtij deklarimi, të frikësohet pjesa e komuniteteve tjera fetare shqiptare dhe evropiane, në mënyrë që kështu të heshtin ndaj çdo veprimi të komunitetit shumicë dhe të ulin kokën, ngase në mentalitetin e vjetër, shumica është ajo e cila çka do që mund të bëjë, ka të drejtë dhe nuk mund të pyetet!
Shqiptaria si etni dhe si tokë, nuk ka qenë dhe nuk është vetëm e pjesëtarëve të besimit Islam. Të gjithë ne, pavarësisht formës së besimit që i takojmë, jemi bijtë e këtij dheu dhe të kësaj toke. Askush nga mesi ynë, nuk mund të pretendoj se ka më shumë përparësi ndaj tjetrit, vetëm pse i takon këtij apo atij besimi të caktuar. Përparësi duhet të ketë dhe të shihet me krenari, vetëm ai i cili më së shumti dhe më së ndershmi i shërben shoqërisë dhe vendit të vet, si dhe ai i cili besimin e tij të zgjedhur në Zot, nuk e vë në shërbim të ndarjes dhe përçarjes së bërthamës dhe trungut të vet.

Në këtë kontekst, vlen të theksohet se përqindja e përgjithshme e pjesëtarëve të Islamit në Ballkan është e vogël, me rreth 15%, kurse në kontekstin evropian 6-7 ose 8 %. Që do të thotë, në kontekstin regjional si dhe atë të më të gjerë të kontinentit evropian, pjesëtarët e besimit Islam , shqiptarë dhe jo shqiptarë, megjithatë janë pakicë e vogël në krahasim komunitetin e përgjithshëm të krishterë.

Është e pa pranueshme, e ulët, afetare, jo politike, por edhe anti vlerave evropiane dhe demokratike, në të cilat po pretendojmë të integrohemi një ditë, që kjo deklaratë të përdoret si një krekosje dhe si një kundërpërgjigje ndaj provokimeve të ulëta dhe minore të disa individëve dhe grupeve të vogla dhe pa peshë të ndjeshme në shoqërinë tonë përgjithshme.
Po të ishte kështu, atëherë edhe bota perëndimore sot do të mund të thonjte: Çfarë dëshironi ju myslimanët në mesin tonë? Ne jemi 95% të besimit të krishterë dhe nuk na intereson se kush jeni dhe çfarë kërkoni? Të drejtat e juaja kërkoni në vendin tuaj nga keni ikur dhe jeni përzënë ….!!!
E pra, nëse kështu vazhdimisht do të thuhej në botën perëndimore me shumicë absolute të besimit të krishterë, padyshim se komunitetet muslimane pakicë do të ndihshin inferiore, të margjinalizuara dhe të kërcënuara vazhdimisht.

Si përfundim.

Po, ne jemi në shumicë si pjesëtarë të Islamit, dhe kjo e vërtetë nuk mund të ndërrohet e as të falsifikohet, mirëpo ky realitet i ynë me pjesëtarë të konfesionit shumicë muslimane, i përkufizuar vetëm një deklaratë dhe slogan të tillë, neve kurrë dhe asnjëherë nuk do të na bënë të fortë, të konsoliduar dhe përparimtar, ashtu siç nuk i ka bërë edhe shumë shoqëri tjera me shumicë absolute muslimane në botë, nëse ne, krahas besimit tonë të lirë nuk vendosim rend e ligj, barazi në drejtësi, liri të besimit dhe shprehjes, zhvillim ekonomik, përkujdesje sociale, si dhe solidarizim për të gjithë; pa dallim race, etnie dhe religjioni. /Lajmi.net/

Ky opinion është marr nga rrjeti social i Doc.dr.Xhabir Hamiti