Javën e ardhshme votohet marrëveshja e Britanisë së Madhe me BE-në

Burimet qeveritare kanë konfirmuar për BBC se deputetët e parlamentit britanik javën e ardhshme do ta votojnë marrëveshjen e kryeministres May për ndarjen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Bota

07/01/2019 12:17

Votimi në Dhomën e Ulët ishte anuluar muajin e kaluar për shkak të mungesës së votave, por thuhet se votimi nuk do të shtyhet kësaj radhe.

Më shumë se 200 deputetë i kanë dërguar letër kryeministres, duke kërkuar që ta parandalojë daljen e vendit nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje të arritur. Në qytetin Kent po bëhen testime me 100 kamionë për t’u përgatitur për kolonat e mundshme që mund të pasojnë pas daljes nga BE-ja.

Marrëveshja aktuale është miratuar më herët nga vendet e Bashkimit Evropian, por ajo duhet të miratohet edhe në kuvendin britanik. Përmes saj përcaktohen rregullat e ndarjes së Britanisë nga blloku dhe marrëdhëniet mes shteteve në të ardhmen. Britania e Madhe është e detyruar të largohet nga BE-ja më 29 mars 2019, pavarësisht kalimit të marrëveshjes në kuvendin britanik, shkruan “BBC”, transmeton Express.

Përmbajtja e marrëveshjes është kundërshtuar nga laburistët dhe një pjesë e madhe e partisë së kryeministres. Në anën tjetër, ish-sekretari i jashtëm britanik, Boris Johnson, ka thënë se dalja e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje është gjëja më e përafërt për të cilën ka votuar populli në referendumin e vitit 2016.