Jashari: Sulmi i 22 janarit ishte paralajmërim që lufta do të fillojë shpejtë

Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari.

Lajme

22/01/2020 12:04

Me këtë rast kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka deklaruar se  22 vite me parë, pas syfyrit pasi që në atë kohë ishte muaj i  ramazanit,  forcat serbe sulmuan tinëzisht familjen Jashari, ku mbeten të plagosura dy vajza nga familja jonë.

“Fatkeqësisht atë natë  komandanti Adem Jashari nuk ishte  në shtëpi, por luftën e bënë gjyshi, babai im Hamza dhe anëtarët tjerë të familjes që iu kundërpërgjigjen ashtu siç e merituan, ku pas 45 minutave sa zgjati sulmi  mbeten të plagosur shumë ushtarë serb, lanë armatimin dhe ikën mbrapsht”, deklaroi kryetari Jashari.

Tutje kryetari Jashari  ka thënë se ky  sulm ishte një paralajmërim që lufta do të fillojë shpejtë.

Kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati ka deklaruar se 22 vite me parë në sulmin e dytë mbi familjen Jashari, u plagosën dy vajza të kësaj familje, kështu që ne sot kemi obligim dhe ndihemi krenar me punën dhe veprën e tyre.

“Këto krisma të asaj kohe kanë qenë krisma të lirisë, lavdi për jetë për të gjithë dëshmoret e kombit”, u shpreh Gucati.

Pjesë e ceremonisë së homazheve ishte edhe kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se bashkërisht po i kujtojmë këto ngjarje, siç është kjo e 22 janarit, para 22 vitesh.​

“Vetëm një ditë pas këtij sulmi bashkë me bacën Rifat, vëllain tim Fehmiun, me Lulzimin, Muratin, kemi filluar në Tiranë organizimin e sjelljes së armatimit për Komandantin Legjendar Adem Jashari, por që Komandanti ka rënë në krye të betejës  pa pas fatin e marrje së këtij armatimi”, ka deklaruar Lladrovci.

Pjesë e ceremonisë së homazheve ishin edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës,  Klubi Futbollistik “Drenica” dhe qytetarë tjerë të cilët kishin ardhur për të nderuar jetën dhe veprën e familjes Jashari. ​/Lajmi.net/