Jasharaj: Qeveria na imponoi grevën

Greva e paralajmëruar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka nisur sot në orën 08:00 dhe është duke u zbatuar në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, ka thënë për lajmi.net, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Lajme

29/04/2015 10:57

“Nga raportet e para që kemi nga komunat e Kosovës, greva në arsimin fillor dhe të mesëm po respektohet në përpikëri. I tërë arsimi parauniversitar në Kosovës është në grevë, përjashtuar çerdhet”, ka thënë ai.

Jasharaj ka thënë se nuk ka informata nëse greva është duke u mbajtur edhe në Universitetin e Prishtinës, edhe pse siç ka thënë ai, sindikalistët e këtij institucioni kanë thënë se do t’i përgjigjen grevës.

Mësimdhënësit janë duke kërkuar që tu paguhet çdo vit i përvojës në punë, nga 0.5 përqind i pagës bazë, që është pjesë edhe e Kontratës Kolektive.

Kërkesat e mësimdhënësve nga zyrtarë qeveritar është thënë se do të plotësohen. Ministri i Arsimit, Arsim Bjarami, të martën në një konferencë për media ka thënë se mësimdhënësit do t’i marrin pagat me rritje të enjten, me 30 prill.

Por, Jasharaj i pyetur se pse nuk kanë pritur edhe një ditë, është shprehur se qeveria pas zotimit se do të paguhet përvoja e punës, ka publikuar lista që janë në kundërshtim me Kontratën Kolektive, e cila i ka irrituar mësimdhënësit

“Te premten e kaluar kur jemi takuar me ministrat Mahir Jaggjillar, Abdullah Hoti dhe Arsim Bajrami, është thënë definitivisht se shuma 0.5 përqind i pagës bazë, për çdo vit shërbimi po realizohet, por të njëjtën  ditë qeveria ka lëshuar lista që nuk i është përmbajtur Kontratës Kolektive  dhe kjo i ka irrituar mësimdhënësit”.

“Greva e sotme nuk është dëshire e jona, por është imponim. Në qoftë se vërtetohet se nesër do të lëshohen pagat sipas Kontratës Kolektive me 0.5 për çdo vit shërbimi, ashtu siç po deklaron qeveria, atëherë Këshilli Drejtues Grevist do të mblidhet dhe do të marrë hapa konkret”, është shprehur Jasharaj, për lajmi.net.

Rrahman Jasharaj
Rrahman Jasharaj