Januzaj kishte frikë nga Shqipëria

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka thënë se Adnan Januzaj u frikësua se do të bindej të luante për ekipin kuqezi, dhe për këtë arsye iu shmang takimit me krerët e skuadrës. Kurse, italiani thotë se futbollistët kosovarë duhet të përcaktohen se për cilin ekip duan të luajnë.

Sport

16/05/2014 12:38

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka thënë se ylli i ri i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj kishte frikë se mund të bindej t’i bashkohej ekipit kuqezi, dhe për këtë arsye refuzoi të takohej me të dhe krerët e FSHF-së.

Në fund, mesfushori 19-vjeç u përcaktua të përfaqësojë Belgjikën dhe është ftuar në ekip për Kampionatin botëror në Brazil.

“Januzaj kishte dy vjet që ndiqej nga ne, por ai ka një baba shumë të hekurt, që nuk na ka mundësuar asnjë takim kokë më kokë me të. Ai kishte frikë se në mund ti mbushnim mendjen dhe ta bindnim që të luante me Kombëtaren tonë”, deklaroi De Biasi për mediat shqiptare.

Strategu italian konfirmoi se do të takohet me selektorin e Kosovës, Albert Bunjaki.

 “Me Bunjakun do të takohemi dhe të flasim për lojtarët kosovar. Ata duhet ta kenë parasysh që duhet të luajnë o me Shqipërinë o me Kosovën dhe jo të thonë që duam të luajmë miqësoret me Kosovën dhe zyrtaret me ne”, u shpreh De Biasi.