Januzaj, jashtë ekipit të Man Utd
Adnan Januzaj nuk është ftuar nga menaxheri i ri i Manchester Unitedit, Louis van Gaal në turneun përgatitor të ekipit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sport
Manchester United ka konfirmuar listën preliminare të futbollistëve që do të marrin pjesë në ndeshjet përgatitore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në verë.
Dhe, në të nuk gjendet emri i mesfushorit Adnan Januzaj. Të udhëhequr nga menaxheri i ri Louis van Gaal, dhe asistenti Ryan Giggs, skuadra e gjigantit nga Old Trafford do të përfshijë yjet Wayne Rooney e David de Gea si dhe përforcimet e reja, Ander Herrera e Luke Shaw.
Por, në të do të jenë edhe Juan Mata, Shinji Kagawa e shumë të tjerë.
Mungesa e Januzajt nuk nënkupton se Van Gaal nuk i beson atij por thjeshtë mesfushori 19-vjeç së bashku me Marouane Fellainin dhe Robin van Persien kanë pushim shtesë për shkak të rrugëtimit më të gjatë me Përfaqësueset e tyre në Kampionatin botëror.
Manchester United do të udhëtojë për në Amerikë më 18 korrik para se të zhvillojë ndeshjen e parë kundër LA Galaxy më 23 korrik në Rose Boël në Pasadena.