Januzaj ia mbylli derën Shqipërisë

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka thënë se ai dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Shqipërisë kanë bërë gjithçka në fuqinë e tyre në përpjekje për angazhimin e Adnan Januzajt. Mirëpo, sipas tij, ylli i Manchester Unitedit është ai që i ka mbyllur dyert e inkuadrimit tek skuadra kuqezi. “Nuk ka më asgjë…

Sport

08/03/2014 10:54

Selektori i Shqipërisë, Gianni de Biasi ka thënë se ai dhe drejtuesit e Federatës së Futbollit të Shqipërisë kanë bërë gjithçka në fuqinë e tyre në përpjekje për angazhimin e Adnan Januzajt.

Mirëpo, sipas tij, ylli i Manchester Unitedit është ai që i ka mbyllur dyert e inkuadrimit tek skuadra kuqezi.

“Nuk ka më asgjë për të bërë. Ne duam që ai të jetë me Shqipërinë. I kemi ofruar çdo gjë, madje dhe një pasaportë shqiptare menjëherë. Për mua ai i ka mbyllur vetë dyert. Përpara kemi një edicion të rëndësishëm dhe nuk dua të merremi me këtë çështje”, deklaroi De Biasi për televizionin shqiptar Ora News.

Trajneri italian ka tjetër mendim në lidhje me çështjen mbrojtësit Shkodran Mustafi. Anëtari i Sampdorias më herët gjatë kësaj jave u ftua në Kombëtaren e Gjermanisë për ndeshjen miqësore kundër Kilit, edhe pse nuk u aktivizua në lojë në fitoren 1:0.

“Ky futbollist është shumë i rëndësishëm. Ai luan në çdo pozicion në mbrojtje, është shumë i fortë dhe ka bërë shumë mirë në Serinë A”.

“Kam 18 muaj që flas rregullisht me të. Ka qenë gjithnjë super korrekt dhe më ka thënë që në fillim që nëse më thërret Gjermania do të luaj për Gjermaninë”.

“Ndoshta është normale kështu sepse ai ka luajtur dhe me moshat e Gjermanisë e madje ka qenë dhe kapiten tek ta”.