Januzaj, asnjë goditje në portë

Adnan Januzaj debutoi në Kampionatin botëror duke luajtur si titullar në fitoren e Belgjikës ndaj Koresë së Jugut në ndeshjen e fundit në Grupin H. Por, 19-vjeçari nuk la përshtypje të mira.

Sport

27/06/2014 11:04

Adnan Januzaj nuk bindi me debutimin e tij në Kampionatin botëror.

19-vjeçari u inkuadrua në formacionin bazë të Belgjikës për ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit H kundër Koresë së Jugut, duke shijuar për herë të parë garën në Brazil pas dy dueleve të kaluara si rezervist i pashfrytëzuar.

Mirëpo, për 60 minuta sa kaloi në fushë, Januzaj nuk është se arriti të shfaq talentin e tij. Dhe, portali Bleacher Report e ka vlerësuar si të pamjaftueshme paraqitjen e tij kundër Koresë së Jugut.

“Januzaj nuk bëri asnjë goditje në portë dhe në përgjithësi bëri një paraqitje dëshpëruese”, shkruan ai.

Tani, mbetet të shihet nëse selektori i Belgjikës, Marc Wilmots do t’i japë sërish minuta në fushë duke pasur parasysh se Belgjika në fazën tjetër të garës do të luajë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.