Jam në mesin tuaj

Pas Malishevës, Fatmir Limaj ka vizituar Prizrenin. Atje është pritur nga bashkëluftëtarët e tij. Para tyre ka folur për padrejtësi dhe ka bërë thirrje që ato të dencohen, nga të gjithë. Kësaj radhe, kishte zgjedhur të flasë më shumë për luftën.

Lajme

26/09/2013 13:06

Fatmir Limajt i është rezervuar një pritje e ngrohtë sot në Prizren, nga bashkëluftëtarët e tij.

Nga atje, ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos lejojnë padrejtësi. Ka folur për sfidat me të cilat po ballafqohet vendi. Por, ka qenë i rezervuar sa i përket të ardhmes së tij politike. Megjithëse, fjalimi i tij, nuk ka lënë hapur asnjë dilemë, pasi ka qenë krejtësisht i përqëndrur në kritika ndaj gjendjes aktuale në vend.

“Vendi ynë po ballafaqohet me vështirësi dhe është momenti kur ky vend duhet të shkojë përpara”, ka thënë Limaj.

“Nëse thirremi në vlerat e luftës së lavdishme të këtij vendi, atëherë duhet mbrojtur ato jo me deklarata pompoze e ndërhyrje në drejtësi, por duhet t’i ndihmojmë të gjithë për të ardhur te e vërteta”.

“Sot jam në mesin e bashkëluftëtarëve të mi. Sot nuk ka politikë. Dëshmorët janë të të gjithëve, ata nuk janë të partive”.

“Nëse doni t’i nderoni dëshmorët dhe familjet e tyre, nuk mjafton t’i vizitoni ata. Por, nëse vërtet dëshironi t’i nderoni ata, atëherë ndiqeni rrugën e tyre”.

Limaj qëndroi në Prizren me ftesë të bashkëluftëtarëve të tij të UÇK’së. Ai nisi vizitën e tij me me homazhe para lapidarit të dëshmorit, Xhevat Berisha, Ismet Jashari dhe para lapidarit të dëshmorit Pal Paluca.

Zgjodhi, që kësaj radhe, të flasë më shumë për luftën e UÇK’së.

“Luftëtarëve të lirisë u intereson më shumë se çdokujt e vërteta. Ne jemi të interesuar që zbardhim të vërtetën e luftës sonë. Nuk dëshirojmë që fëmijëve tanë t’u lëmë njolla për luftën e pastër që kemi bërë, prandaj ne jemi shumë të interesuar që të zbardhët e vërteta e luftës”.

“Po iu drejtohem juve bashkëluftëtarëve të mi. Ne jemi kthyer nga një proces. Kemi ardhur t’ju themi se jam kthyer në mesin tuaj që të punojmë për të ardhmen e këtij vendi”.

Limaj u shpreh para bashkëluftëtarëve të tij në Prizren, se Kosova është ndërtuar me gjakun e dëshmorëve, prandaj për të realizuar amanetin e tyre duhet që të punohet ende.

“Ky vend ka nevojë për miq, por ka shumë punë që mund t’i bëjmë edhe vetë”.

“Ftoj të gjithë që kudo që shohin padrejtësi të denoncojnë. Vetëm në këtë mënyrë ndërtohet shteti ligjor”.