“Jam i gatshëm për të dhënë maksimumin në Lojërat Olimpike Dimërore 2018”

Skiatori Albin Tahiri është sportisti i parë dhe i vetëm kosovar që përfaqëson këtë vit Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore PyeongChang 2018, të cilat këtë vit mbahen në Korenë e Jugut, me fillim nga data 9 deri më 25 shkurt.

Sport

07/02/2018 18:34

Aktualisht, Albin Tahiri ndodhet në Korenë e Jugut, ku ka nisur trajnimet, për të pasur një përfaqësim sa më dinjitoz të vendit në këto gara.

Gjatë një interviste për Telegrafin, sportisti i njohur ka rrëfyer se si po ecin përgatitjet për Lojërat Olimpike Dimërore, sa i entuziazmuar është me këtë rast, dhe si u mirëprit në Kosovë, ditë më parë kur edhe mori flamurin shtetëror nga krerët më të lartë të vendit.

Albin, jeni skiatori që do të përfaqësoni Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore 2018? Sa jeni i entuziazmuar dhe si po ju ecin përgatitjet?

Po jam shumë i entuziazmuar. Po e prisja këtë moment gjithë jetën time, dhe kjo është një pikë kulminante e karrierës sime. Përgatitjet janë duke shkuar të gjitha sipas planit, në këto momente gjendemi në Korenë e Jugut dhe sot kishim provën e parë, dhe e provuam borën e Koresë.

Kosova për herë të parë garon në Lojërat Olimpike Dimërore? Sa ju bënë të lumtur fakti se jeni i pari që do të përfaqësoni shtetin tonë në këto gara?

Jam shumë i nderuar që do të jem atleti i parë i lojërave dimërore olimpike në historinë e Kosovës. Është vetëm hera e parë dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e saj.

Ditë më parë ishit në Kosovë, ku edhe iu dorëzua flamuri shtetëror nga presidenti Hashim Thaçi, dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj. Si ishte biseda me ta, dhe sa ju dhanë mbështetje?

Ishte kënaqësi të bisedoja me të dytë, dhe të dytë kishin një shpirt atleti. Ne kemi biseduar më shumë për përgatitjet dhe se si po shkon ‘training’-u ynë, por në përgjithësi ishte më shumë si një protokoll. Nuk kemi biseduar ndonjë gjë për mbështetje, sepse është fundi i periudhës përgatitore.

Si ka shkuar udhëtimi në Korenë e Jugut, dhe a jeni i emocionuar tani që garat po afrojnë?

Rrugëtimi ishte i qetë dhe nuk kishim probleme përpos që një çantë e skijave të mia nuk ka arritur ende. Por është në rrugë, kështu që shpresoj ta marrim sa më shpejtë. Mendoj se presioni do të rritet këto ditë, por deri tani jam mjaft i qetë.

Me prejardhje jeni nga Kosova, por prej vitesh jetoni në Slloveni. Si është jeta juaj atje?

Po unë jetoj në Slloveni, po ashtu nëna ime është sllovene. Gjatë kohës që jam rritur këtu, jam mësuar të jetoj në këtë ambient. Tash për tash jetoj në Lubjanë, që është një qytet shumë i bukur, me të vërtet më pëlqen.

Para se të bëheshit skiator, keni qenë dentist. Si ka nisur dashuria për skijimin?

Unë skijoj që nga mosha shtatë vjeçare dhe dentist jam bërë në shtator. Kështu që në fillim isha skiator dhe tani u bëra dentist. Babai im është i apasionuar pas sportit, kështu që ne të gjithë ishim pjesë e sportit, ndërsa unë vendosa për skijimin për shkak se është me të vërtetë një sport i popullarizuar në Slloveni.

Herën e fundit shënuat suksesin tuaj më të madh në karrierën, duke u renditur i 49-i nga 120 konkurrentët në Kampionatin Botëror. Mendoni që këtë herë do të ngjiteni më lart?

Po, mendoj se mund të ngjitem më lart. Synimi im është të hyjë në top 30, por do të isha i lumtur edhe me top 40.

A keni skijuar ndonjëherë në qendrat e skijimit dimëror në Kosovë, dhe çfarë mendimi keni për turizmin dimëror këtu?

Kam qenë një herë në Brezovicë dhe më është dukur shumë i bukur dhe po ashtu ka një pjerrtësi shumë të mirë. Por më duhet të ankohem për infrastrukturën, e që ka nevojë për shumë përmirësime. Po ashtu pak më shumë reklamim do të ishte më mirë. Ne duhet të investojmë më shumë në turizëm dimëror, sepse kemi një mundësi të mirë për të zhvilluar diçka aty.

Si është një ditë e zakonshme e Albinit?

Unë zgjohem shumë herët, ha mëngjes dhe nisem për në ushtrime. Pas ushtrimeve, të cilat zakonisht zgjasin 3-4 orë, më duhet të pastroj skijat e mia dhe t’i përgatit ato për ditën e ardhshme. Pasdite kam ‘training’ fizik ose relaksim, varet nga energjia e mbetur gjatë gjithë ditës.

Albin, faleminderit shumë që pranove ftesën. Për fund, cili do ishte mesazhi yt për të gjithë talentët e rinj në Kosovë, që synojnë të kenë një sukses në të ardhmen në këtë drejtim?

Mesazhi im është: Vetëm ndiqni ëndrrën tuaj dhe kurrë mos u dorëzoni. Nganjëherë ju duket ‘nonsens’ të gjitha gjërat që po i bëni, por në fund do të ju shpërblehet e gjitha. /Telegrafi/