Jakup Krasniqi: Fatmir Limajn deshën ta eliminojnë politikisht

Jakup Krasniqi zbulon disa detaje për partinë e tij, e cila brenda pak kohësh pritet të zyrtarizohet. Thotë se selia e partisë së tij do të jetë në objektin e ish`ambasadës shqiptare në Prishtinë. Për Limajn thotë se deshën ta eliminojnë politikisht.

Lajme

15/02/2014 10:21

Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj tashmë kanë bërë gati gjithçka dhe se zyrtarizimi i partisë së re, me të cilën do të garojnë në Zgjedhjet e Përgjithshme është vetëm çështje kohësh.

Planet për subjektin e tij të ri politik, Jakup Krasniqi i ka zbuluar në një intervistë për televizionin shqiptar “Ora News”.

“Një subjekt i ri do të formohet sigurisht pasi të kryhen përgatitjet e nevojshme do të mendojmë se si do ta prezantojmë para opinionit. Të krijojmë një subjekt politik që vendimmarrja është në organet e saj. Jam i bindur se do të funksionojmë mirë”

Ndonëse nuk ka folur për emrin e subjektit të tij të ri, Krasniqi ka zbuluar detajet teknike duke bërë publike edhe objektin ku do të jetë selia e partisë së tij.

I pyetur se a do të jetë selia e partisë suaj në ish-objektin e Ambasadës Shqiptare në lagjen Pejton, kështu përgjigjet Kryeparlamentari Krasniqi.

“Ajo do të jetë”.

Krasniqi, bashkëpunimet me partitë tjera për momentin nuk i shikon  të arsyeshme, por nuk i përjashton si mundësi.

“Ende nuk e kam formësuar qëndrimin tim, por qëndrimi im dhe vota ime do të jetë konform interesit të vendit”.

“Dronë e kam tek zgjedhjet, nuk e kam tash se sa do të qëndron apo jo Qeveria Thaçi. Ne si Kosovë duhet të bëjmë zgjedhje të lira”.

“Varet shumë se a do të vijë ai mocion. Në shumë procese, Kryeministri ka pasur mbështetjen e opozitës. Përveç Vetëvendosjes, pjesa tjetër e opozitës e ka mbështetur në shumë procese dhe nuk e kam parë ende të gatshëm opozitën që ta marrë një hap mocioni”.

“Nuk është vetëm z. Thaçi akter kryesor. Zgjedhjet e kaluara lokale kanë pasur një notë të rregullsisë. Nëse shumica janë të gatshëm që zgjedhjet të lira, të drejta dhe të fshehta, mendoj se një aktor e ka të vështirë ta prishë procesin edhe pse ata që e kanë pushtetin gjithmonë e kanë mundësinë për ta prishë procesin.

“Organizimi politik në Kosovë është mjaft autoritar dhe ne do të përpiqemi ta bëjmë një ndryshim. Duam një subjekt politik me ë cilin nuk do të ecim në rrugën e autoritarizmit, por që vendimmarrja të bëhet nga organet e saj”.

“Në politikë kam hyrë në një kohë kur më së paku ka pasur interes, por kam pasur idealizëm dhe jam munduar ta ruajë idealizmin në politikë”.

“Ne do ta gjejmë një formë që të jemi në këto zgjedhje. Është një interesim i njerëzve gjithandej në Kosovë. Ndoshta njerëzit janë lodhur nga mënyra se si janë drejtuar partitë politike”.

Krasniqi ka folur edhe për procesin e privatizimit, proces ky që po konsiderohet “mollë sherri” për përçarjet që kanë ndodhur në PDK.

“Unë kam pasur bindjen dhe kam bindjen dhe se kam ofruar argumentet e mia se nuk e kanë ndihmuar zhvillimin e Kosovës, dhe se shumë asete  të ndërmarrjeve vitale që ka pasur Kosova janë privatizuar, duke mos qenë pjesë e kontratave për privatizim”.

“Organet a partisë pothuajse më nuk kanë funksionuar është krijuar një udhëheqje autoritare”.

Ndërsa flet edhe për Fatmir Limajn duke thënë se kanë dashur ta eliminojnë politikisht.

“ I është bërë një padrejtësi duke e ndjekur në shumë drejtime me qëllim për ta eliminuar politikisht nga jeta politike”.

Në këtë intervistë, Jakup Krasniqi ka folur edhe për protestat e studentëve, të cilat kulmuan me dorëheqjen e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi.

“Gjithnjë ka mundësi shumëçka të parandalohet. Ka pasur mundësi që shumëçka të shkojë më mirë se shkoi. Protestat kishin kërkesa të arsyeshme sepse njerëzit kur kanë përgjegjësi të larta në shkollimin e lartë, duhet gjithanshmërisht të jenë mirë”.

“Çdo defekt në ngritjen intelektuale të disa profesorëve, duke përfshirë edhe Rektorin Gashi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” është dashur që me kohë të merrte një vendim moral për t’u tërhequr dhe për të mos i dhënë as mundësi e as hapësirë protestave të studentëve, njëkohësisht edhe për t’i mbrojtur policinë e Kosovës, e cila ka pasur urdhër të jetë në mbrojtje të institucionit.

“Ndërhyrjet gjithnjë janë të tepërta dhe të panevojshme”.

“Sigurisht që përgjegjësia kryesore është e shumicës, e atyre që kanë qeverisur, që kanë ndërhyrë, më shumë pa të drejtë se sa me të drejtë në segmentet vitale të Universitetit. Qeveria dhe stafi akademik duhet ta nxjerrë një mësim nga ngjarjet e fundit që politika të mos ndërhyjë në Universitet dhe që universiteti të jetë foltore e dijes”.

“Unë i kam thënë shumëçka në kohën e duhur. Asnjëherë në jetën time 15 vjeçare në politikë nuk kam ndërhyrë në përzgjedhjen e stafit akademik. Unë kam hyrë në politikë nga arsimi”.