Jahjaga: Zbatimi i marrëveshjeve të jetë parakusht për Serbinë në BE

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim ministrin e Jashtëm të Maltës, George Vella me të cilin biseduan për zhvillimet më të fundit në vendin tonë, si dhe për proceset që kanë të bëjnë me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian.

Lajme

02/02/2016 12:07

Jahjaga dhe ministri i Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella biseduan edhe për dialogun midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Presidentja nënvizoi rëndësinë e implementimit të marrëveshjeve të arritura në këtë proces dhe kërkoi që zbatimi i këtyre marrëveshjeve të jetë parakusht për procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ajo theksoi se Kosova është promovuese e paqes dhe stabilitetit në rajon, ndërkohë që konfirmoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për ndërtimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet fqinje”, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës.

Jahjaga vlerësoi se marrëdhëniet bilaterale midis dy vendeve janë shumë të mira dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në çdo fushë me interes dypalësh. Ajo e falënderoi ministrin Vella për ndihmën e vazhdueshme që Malta i ka dhënë proceseve nëpër të cilat ka kaluar Kosova dhe anëtarësimit të saj në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

Ministri i Jashtëm i Maltës, George Vella theksoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar mbështetjen për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe për perspektiven e saj evropiane./Kp