Jahjaga vendos të mos shkojë në Beograd

Presidentja Atifete Jahjaga nuk do të udhëtojë për në Beograd për të qenë pjesë e Komisionit Trilateral, që do të mbahet më 1 nëntor. 

Lajme

30/10/2014 15:12

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vendosur të mos e pranojë ftesën e Komisionit Trilateral për vizitë në Beograd. Sipas Presidencës, anulimi i vizitës së Jahjagës në Beograd ndodh për shkak të bllokadës politike në Kosovë.

“Presidentja e Republikës së Kosovës pas një analize të hollësishme të ftesës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral për pjesëmarrje në konferencën që organizohet në Beograd më 1 Nëntor, ka marr vendimin që të mos udhëtojë në Beograd për të qenë pjesë në konferencë, për shkak të gjendjes së krijuar në vend me pamundësinë e ndërtimit të institucioneve të reja”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.

“Qëndrueshmëria e shtetit dhe domosdoshmëria për të ndihmuar procesin e ndërtimit të institucioneve në vend kanë përcaktuar edhe vendimin e Presidentes Jahjaga, karshi edhe analizës së agjendës së përcaktuar të konferencës, nivelit të pjesëmarrësve dhe aspektet protokollare dhe organizative”.

“Presidentja Jahjaga e ka falënderuar organizatorin e konferencës së Grupit Evropian të Komisionit Trilateral, për ftesën për pjesëmarrje në njërin nga panelet e kësaj konference dhe vlerëson hapin e ndërmarrë si një përpjekje drejt krijimit të një klime të mirëbesimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Presidentja Jahjaga thekson se, pavarësisht nga pamundësia e pjesëmarrjes në konferencë, relaksimi I marrëdhënieve ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor hap perspektivën evropiane për të gjithë dhe ndihmon në krijimin e mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha vendeve.