Jahjaga uron Ditën e Paqes, ditën kur iu dha fund gjenocidit serb në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, me rastin e 12 Qershorit – Ditës së Paqes, ka deklaruar se sot shënohet 15 vjetori i ditës më të rëndësishme të historisë më të re për Kosovën, ditën kur përfundimisht iu dha fund shtypjes, dhunës dhe gjenocidit dhe ditën kur u hap një kapitull i ri për popullin e Kosovës, një epokë e zhvillimit dhe përparimit për vendin dhe dinjitetit e barazisë ndërmjet qytetarëve, pa dallim.

Lajme

12/06/2014 12:44

Jahjaga përmes një deklarate, ka thënë se në këtë ditë, më respekt të thellë kujtohen të gjithë ata që bënë sakrificën sublime që Kosova të jetë sot e lirë dhe e pavarur, të gjitha gjeneratat që punuan për lirinë e vendit, që kulmoi me luftën e popullit për çlirim nën udhëheqjen e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës.

“Jemi krenarë dhe shprehim falënderim të thellë për angazhimin në Kosovë të burrave dhe grave, të ushtarëve dhe eprorëve të Aleancës Veriatlantike të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe sidomos të ndihmës së pakursyer të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionet e ndryshme në Kosovë”.

“Kosova sot është rrëfim suksesi i përbashkët i të gjithë neve, qytetarëve, i institucioneve dhe i bashkësisë ndërkombëtare”.

“Ne po ndërtojmë një shtet qytetar, shtet gjithëpërfshirës, që bazohet në rend dhe sundim të ligjit, një shtet ku të gjithë i gëzojnë të drejtat dhe liritë e barabarta pa asnjë dallim”.

Jahjaga ka thënë se Kosova sot është dëshmi e një shoqërie të pjekur, të mundësive të barabarta, të një shoqërie demokratike dhe tolerante, që diversitetin e saj e ka shndërruar në vlerë të saj.

Liria, pavarësia dhe demokracia e Kosovës, sic ka thënë presidentja, është vullnet dhe angazhim i popullit të Kosovës dhe i ndihmës së miqve ndërkombëtar dhe me këtë rast falënderojmë Misionin e NATO-s, të EULEX-it dhe misionet tjera ndërkombëtare që po kontribuojnë në konsolidimin demokratik të vendit tonë.

“Pesëmbëdhjetë vjet më pas, Kosova qëndron më e fuqishme se ndonjëherë, duke ndërtuar një të ardhme të sigurt në gjirin e popujve të lirë dhe të barabartë të Evropës, një shtet që kontribuon në paqen dhe sigurinë e përgjithshme, duke qenë një vend i përparuar për gjenerata e tashme dhe për brezat që vijnë”.