Jahjaga: Testin e pjekurisë e kaluam me sukses

Presidentja Atifete Jahjaga ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për angazhimin e tyre që kanë bërë të mundur që procesi i zgjedhjeve të jetë shembull i një organizmi të mirë.

Lajme

01/12/2013 20:53

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerëson se zgjedhjet komunale në rundin e dytë, në 25 komuna të Kosovës kanë treguar përkushtimin e qytetarëve të vendit për ndërtimin e një shoqërie demokratike përmes votimit të lirë dhe të ndershëm në gjithë territorin e Kosovës.

Jahjaga ka përgëzuar qytetarët e Kosovës për angazhimin e tyre që kanë bërë të mundur që procesi i zgjedhjeve të jetë shembull i një organizmi të mirë.

“Vlerësoj edhe pjesëmarrjen e qytetarëve të komunitetit serb, posaçërisht të atyre në veri të territorit të Republikës së Kosovës, si shprehje e vullnetit të tyre për t’u integruar në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës, që do të ndihmojë vazhdimin e proceseve demokratike të vendit”.

“Zgjedhjet komunale të organizuara për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar një mbarëvajtje të një procesi të organizuar tërësisht nga institucionet e vendit me një pjesëmarrje të kënaqshme të qytetarëve në të dyja raundet e votimit”.

“Puna e të gjithë mekanizmave përgjegjës për organizimin, mbarëvajtjen dhe sigurinë e zgjedhjeve komunale gjatë gjithë këtij procesi ka rezultuar me garantimin e standardeve të përcaktuara për zgjedhje të ndershme dhe demokratike, të lira dhe të drejta”.

“Vota e qytetarëve të Republikës së Kosovës është vota për të tashmen dhe të nesërmen e vendit, një votë tashmë e dëshmuar për rrugën e pandalshme të integrimeve evropiane”.

“Testi i pjekurisë demokratike dhe i shoqërisë së vendosur për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, është përmbushur me zgjedhjet e 1 Dhjetorit. Këto zgjedhje shënojnë hapin tonë përpara drejt integrimit të vendit, të secilit qytetar të Republikës së Kosovës në institucionet e vendit dhe ato janë dëshmia më e mirë se të ardhmen mund ta ndërtojmë së bashku”.

“Përmbyllja e këtij procesi zgjedhor, në mënyrë të qetë dhe demokratike, dhe në mënyrë të dinjitetshme do të sigurojë për Republikën e Kosovës stabilitetin dhe paqen, do t’u ndihmojë qytetarëve të vendit përparimin dhe zhvillimin dhe do t’i hap edhe më tutje perspektivën euro-atlantike vendit tonë”.